Vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi - Foto: KALLXO.com

Gjykata përsëri mbyll seancën ndaj të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit

Gjykata përsëri e ka mbyllur seancën dëgjimore ndaj tre të dyshuarve për përfshirje në vrasjen e Olivier Ivanoviqit.

Përsëri monitoruesit e BIRN, nuk u lejuan ta monitorojnë seancën me arsyetimin se seancat dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së paraburgimit janë të mbyllura, gjë e cila nuk ceket askund në Kodin e Procedurës Penale në fuqi.

Gjykata edhe në seancën e 24 nëntorit kishte mbyllur dyert për monitoruesit e BIRN-it, ndërsa EULEX-it, i kishte ofruar qasje të plotë në monitorim.

Ndërsa në seancën e sotme nuk janë lejuar të hyjnë as monitoruesit e EULEX-it.

Tre të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit, sot kanë dalë përsëri para Gjykatës në Prishtinë, ku do të shqyrtohet edhe një herë kërkesa për masën e paraburgimit.

Muajin e kaluar ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve, mirëpo Gjykata e Apelit duke vepruar sipas ankesave të mbrojtësve ka kërkuar që Themelorja ta rishqyrtojë edhe një herë kërkesën e Prokurorisë.

Muajin e kaluar Policia e Kosovës në një aksion në veri të Mitrovicës kishte arrestuar tre persona nën dyshimet se janë të përfshirë në vrasjen e ish politikanit serb në Kosovë, vrasje e cila kishte ndodhur në janar të këtij viti.

Për vrasjen e Oliver Ivanoviqit sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë është i dyshuar edhe nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojiçiq, i cili është në kërkim.

Oliver Ivanoviq ishte vrarë në janar të këtij viti në Mitrovicën e Veriut.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivaniviqit – LINK