Visar Ymeri, ish-kryetar i Vetëvendosjes

Gjykata Paralajmëron Arrestimin e Visar Ymerit

Paralajmërimi është bërë nga gjykatësi Vesel Ismajli gjatë seancës gjyqësore për gjykimin e rrahjes së deputetëve.

Visar Ymeri e Rexhep Selimi nuk morën pjesë në gjykimin ku akuzohen për rrahje të Bekim Haxhiut.

Në këtë gjykim kreu i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri, deputeti i këtij subjekti Rexhep Selimi, ish-deputeti Florin Krasniqi dhe vozitësi Besart Bujupi akuzohen për fjalosje dhe sulm ndaj deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu me qëllim të shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore.

Kjo gjë sipas prokurorisë kishte ndodhur më 28 qershor 2012 gjatë një pauze pas një debati në Kuvendin e Kosovës. Procedura ndaj Florin Krasniqit është veçuar.

Edhe pse sot ishte seanca e 15-të e këtij gjykimi, asnjëra nga to nuk është mbajtur.

Më 8 shkurt në gjykatë për këtë çështje nuk erdhi kryetari i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri. Në atë seancë gjyqtari Vesel Ismajli tha se nuk i mbetur mjet tjetër juridik, përveç që të lëshojë urdhërarrest për Ymerin për sjellje të detyrueshme të tij në seancë.

Atë ditë Bekim Haxhiu tha se “është e 14-ta herë që vij në seancë për të kërkuar drejtësi dhe është e 14-ta herë që gjykata nuk i plotëson kushtet ligjore për mbajtjen e seancës. Është papërgjegjësi e gjykatës”.

http://kallxo.com/deshton-seanca-e-perleshjes-se-deputeteve/

Dy ditë më vonë KALLXO.com i shkroi Zyrës për Informim të Gjykatës Themelore në Prishtinë duke i kërkuar përgjigje nëse është lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë të Visar Ymerit në gjykatore.

KALLXO.com atë ditë nuk mori përgjigje.

http://kallxo.com/gjykata-nuk-tregon-nese-ka-leshuar-urdherarrest-per-visar-ymerin/

Por pas shtyrjes së sotme të seancës, gjyqtari tha se shtyrja ndodhi ngase policia nuk e solli kreun e “Vetëvendosjes”.

Edhe sot deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu sipas gazetarit të KALLXO.com ishte i nervozuar për shtyrje të seancës, por nuk foli për mediet.

Gjyqtari i tha KALLXO.com se Rexhep Selimi nuk u paraqit në gjykatë, por sipas gjyqtarit, i kontaktuar nga gjykata Selimi tha se do të vijë në Pallat të Drejtësisë për 3 minuta, nëse krijohen kushtet për mbajtjen e seancës.

Deputeti Selimi herëve tjera ka qenë i pranishëm në gjykatore në lidhje me këtë çështje. Përveç Haxhiut për këtë seancë ishte i pranishëm edhe i akuzuari Besart Bujupi dhe Enver Bimbashi, dëshmitari i paraparë për sot.

Seanca e këtij gjykimi u shty për kohë të pacaktuar, derisa të sigurohet prania në gjykatore e Visar Ymerit. [interaction id=”56c5a8f0b6c51fb652e9372c”]