Gjykimi për stentat | Foto: KALLXO.com

Gjykata Nuk e Hedh Poshtë Rastin “Stenta”

Rasti gjyqësor i njohur si “Stenta”, ku 44 mjekë dhe 1 infermier akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do të vazhdojë me shqyrtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjyqtarja e rastit, Shadije Gërguri, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave me arsyetimin se provat e propozuara në aktakuzë krijojnë dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit janë kryerësit e veprave penale për të cilat akuzohen.

E këtë aktvendim, avokati mbrojtës, Besnik Berisha, e quajti shabllon të pambështetur në ligj.

“Shabllon i pambëshetur në ligj, që anon tërësisht nga ana e prokurorisë për të mbuluar dështimet e tyre dhe skandalin e vetëkrijuar nga prokuroria lidhur me këtë rast”, ishte komenti i Berishës për aktvendimin në fjalë.

“Gjykata ka dështuar të bëjë dallimin në mes veprës penale dhe shkeljes së ligjit mbi shëndetësinë, por, gjithësesi besoj që instancat tjera do ta korrigjojnë padrejtësinë ndaj shumicës së mjekëve të akuzuar dhe pacientevë të torturuar nga ana e prokurorisë”, shtoi Berisha.

Në seancën fillestare të mbajtur më 19 maj të këtij viti u lexua aktakuza e ngritur gati një vit më parë.

Ndonëse munguan dy nga të akuzuarit, Murat Abazi e Hajdin Çitaku, aktakuza u lexua nga ana e prokurores së rastit ku më pas të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës kryetarja e trupit gjykues i dha 30 ditë kohë mbrojtjes për të paraqitur kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës.

Më pas, të akuzuarit dhe mbrojtësit kishin paraqitur kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Në rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Pjesë e këtij gjykimi janë ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast gjyqësor. Të gjitha raportet mund t’i gjeni në këtë link.

Në tetor 2014 KALLXO.com zbuloi një sërë mesazhesh të shkëmbyera mes mjekëve të dyshuar të Qendrës Universitare të Kosovës dhe atyre të klinikave private.

Përmes këtyre mesazheve telefonike vërtetohej se si mjekët bënin “pazar” me jetët e pacientëve duke dërguar ata nga QKUK-ja në ato private për të intervenuar në zemër.

Po ashtu në këto mesazhe shihej se si mjekët merrnin shuma të hollash prej 500 eurosh për delegimin e pacientëve nga QKUK-ja në spitale private.

http://kallxo.com/sms-te-e-mjekeve-te-arrestuar/