Ilustrim
Gjykata në pritje të marrëveshjes mes palëve për tentim-vrasjen e vitit 2009
Mungesat e vazhdueshme të palëve nëpër seanca vazhdojnë ta lënë pa epilog një rast të vrasjes në tentativë të para nëntë viteve i cili është duke u gjykuar në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Një seancë e tillë është shtyrë edhe sot meqë palët e dëmtuara, Sefer dhe Mejreme Bajrami, nuk janë paraqitur në gjykatë.
Në aktakuzë, dy persona, Jeton Hajdari dhe Afrim Batusha, akuzohen për vrasje të rëndë në tentativë për një rast të fundit të dhjetorit të vitit 2009.
Sipas aktakuzës, Jeton Hajdari akuzohet se më 30 dhjetor 2009 ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Sefer Batusha, pas një fjalosje që kishte ndodhur ditën e njëjtë lidhur me një pronësi.
Incidenti, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në kohën kur i Batusha ishte duke lëvizur me automjet në magjistralen Prizren-Gjakovë, në fshatin Piranë. Prokuroria pretendon se i akuzuari po e përcillte me veturën e tij të dëmtuarin, dhe në momentin kur arrijnë në vendin kritik ndalen veturat dhe Hajdari, nga arma e tij e tipit AK 47, shkrep 3 herë në drejtim të të dëmtuarit, duke qëlluar automjetin.
I njëjti sipas aktakuzës ngarkohet edhe me veprën penale të mbajtjes në kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
Edhe i akuzuari tjetër Afrim Batusha ngarkohet me veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.
Aktakuza thotë se Hajdari në ditën e njëjtë, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Arben Hajdari për shkak se po atë ditë Jeton Hajdari kishe tentuat ta privojë nga jeta Sefer Batushën.
Sipas aktakuzës, kur kishte arritur para shtëpisë së tij, Hajdari nga një largësi prej 50 metra me pretekst se do të jenë të sulmuar, nga arma e tij AK 47, kishte shkrepur disa herë në drejtim të anëtarëve të familjes Hajdari në mesin e të cilëve ishte edhe i dëmtuari Arben Hajdari.
Edhe Afrim Batusha ngarkohet edhe me veprën penale të mbajtjes në kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
Në seancën e sotme, përfaqësuesi i Sefer dhe Mejreme Bajramit deklaroi se “të dëmtuarit gjenden jashtë shtetit, në Gjermani, me punë të përkohshme dhe se nuk janë të interesuar që të vijnë dhe të deklarohen rreth kësaj çështjeje”.
Ai shtoi se nuk paraqesin kërkesë pasurore juridike, andaj nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale nga fakti se është arritur pajtim në mes palëve.
Mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Hajdari, avokati Hazër Susuri, kërkoi nga gjykata shtyrjen e seancës për faktin se ka gjasa që të arrihet marrëveshja mbi pranimin e fajësisë. Ai tha se është arritur marrëveshje dhe pajtim familjar dhe se po flitet për një rast të ndodhur në vitin 2009.
Gjithashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Batusha, avokati Nexhat Elshani, tha se edhe në rast të mosndryshimit eventual të kualifikimit juridik të veprës penale ata janë të interesuar të arrijnë marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.
Prokurori i shtetit Genc Nixha tha se edhe pse kishte kushte për mbajtjen e seancës nuk e kundërshton propozimin e mbrojtësve për negocimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, dhe kërkoi një afat 15 ditor që eventualisht të arrihet marrëveshja.
Pas këtyre propozimeve, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, e aprovoi propozimin e mbrojtësve, por i tërhoqi vëmendjen Prokurorit të shtetit dhe mbrojtësve që kjo është mundësia e fundit për negocimin mbi arritjen e marrëveshjes.
Ajo tha se në rast të mos arritjes së marrëveshjes, nuk do të ketë më shtyrje për një kërkese të tillë, duke marrë parasysh se për të njëjtën çështje gjyqtarja e rastit e kishte shtyrë seancën rreth 5 herë me propozimin e avokatëve mbrojtës.
“Shtyrjet tjera janë të paarsyeshme”, tha ajo.
Seanca e radhës u caktua për 7 nëntor.