Gjykimi i Ramadan Mujës | Foto: KALLXO.com

Gjykata Ndalon Filmimin e Fytyrave të Ramadan Mujës dhe të Tjerëve

Në gjykimin e ramadan Mujës dhe të tjerëve, Gjykata në Gjilan ndaloi filmimin e fytyrave të të akuzuarve.

Propozimin për moslejimin e filmimit të fytyrave të Mujës dhe të tjerëve e dha avokati Rexhep Hasani që në këtë proces mbron Avni Ademajn.

“Propozoj që fytyrat e personave të pandehurve në këtë seancë mos të publikohen nëpërmes kësaj video”, tha Hasani.

Me propozimin e avokatit Hasani, pastaj u pajtua edhe prokurorja Fikrije Fejzullahu, e më pas edhe trupi gjykues në krye me gjyqtarin Agim Ademi mori aktvendim me anë të të cilit i ndaloi mediat që të filmonin fytyrat e të akuzuarve me arsyetimin se ata ende janë të pafajshëm deri në momentin që shpallet aktgjykimi dhe dëshmohet e kundërta.

Seanca vazhdoi me me leximin e deklaratave të dëshmitareve të dhëna gjatë shqyrtimit të mëparshëm gjyqësor.

Gjithsej janë 26 dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar në fazat e mëhershme, dëshmitë e këtyre dëshmitareve do të lexohen gjatë këtij procesi gjyqësor me përjashtim të rasteve kur për ndonjë dëshmitar prokuroria apo mbrojtësit konsiderojnë që ekziston nevoja që ai dëshmitar përsëri të ftohet për të dëshmuar.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit.

Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.