Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë - Foto: Rtv21

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë Rrëzon Kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e bërë nga Unioni i Gjyqtarëve, që kishte ankimuar 25 nene të tre ligjeve të reformës në drejtësi.

Ligjet e ankimuara nga Unioni i Gjyqtarëve kishin të bënin me organet e Gjyqësorit, Vettingun dhe statusin.

Bëhet fjalë për ligjin e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe të statusit të gjyqtarëve.

Një nga pikat më delikate të ankimuara të gjyqtarëve lidhej me kontrollin e figurës së njerëzve të drejtësisë, por gjyqtarët thonë se duke përfshirë në verifikim “edhe persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar”, sipas “informacioneve konfidenciale” pa një vendim të formës së prerë, kjo mund të çojë në vendime abuzive të Komisionit të Vettingut.

Kur u miratua ligji, verifikimi i figurës, përveç kontrollit të pasurisë, u konsiderua si një nga shtyllat e procesit të Vettingut.

Ai u mbështet publikisht si nga amerikanët, ashtu edhe nga europianët me argumentin e Komisionit të Venecias se masat drastike të Vettingut ishin të pranueshme për të zgjidhur një situatë si ajo në drejtësinë shqiptare. /21Media