Arkiv: Qemajl Mustafa

Gjykata ia lehtëson veprën Qemajl Mustafës dhe të tjerëve

Gjykata Themelore në Pejë me vendimin të cilin e ka nxjerrë ia ka lehtësuar pozitën Qemajl Mustafës dhe të akuzuarëve tjerë për veprën penale ‘krimi i organizuar’.

Përmes këtij vendimi gjykata e ka ndryshuar cilësimin juridik të veprës penale, duke e larguar kështu krimin e organizuar dhe duke e kualifikuar si vepër të kryer në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Ata akuzoheshin nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për krim të organizuar, vepër kjo e dënueshme me më shumë se 5 vite burgim sipas kodit të vjetër penal, ndërsa sipas cilësimit të ri nga ana e Gjykatës Qemajl Mustafa dhe të tjerët rrezikojnë të dënohen nga 6 muaj deri në 5 vite burgim.

Qemajl Mustafa dhe 39 të pandehurit e tjerë akuzohen se nga qershori i vitit 2008, deri në muajin shtator të vitit 2011 me dashje dhe dijeni, aktivisht kanë marrë pjesë në aktivitete kriminal të grupit të organizuar, e që kanë kryer krime serioze.

Sipas aktakuzës qëllimi i këtij grupi ishte të japin tenderë fitimprurës kompanive- operatoreve ekonomik, për ndërtimin e rrugëve, mirëmbajtjen e rrugëve, sinjalizimeve dhe për furnizime, duke eliminuar ofertuesit me oferta më të arsyeshme.

Grupi kriminal, pretendohet që ishte i strukturuar dhe që ka vepruar për një periudhë të konsiderueshme kohore.

Në arsyetimin e vendimit të saj Gjykata e Pejës konsideron se aktakuza ka mungesë të elementit konstituiv të veprës penale krim i organizuar, dhe se nuk përmbushet as kriteri minimal për dyshimin e bazuar se ka ekzistuar një grup i strukturuar dhe i organizuar kriminal.

Po ashtu Gjykata vlerëson se nuk ka asnjë provë që e mbështet dyshimin e bazuar mirë se ka ekzistuar ky grup i organizuar kriminal dhe nuk ka asnjë dëshmi që tregon se ka ekzistuar një marrëveshje për të kryer krime të rënda. Andaj në bazë të këtyre konstatimeve Gjykata e ka ndryshuar cilësimin e veprës penale nga krimi i organizuar në vepër penale të kryer në bashkëkryerje.

39 të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me pikat e aktakuzës.

https://kallxo.com/gjykimi-qemajl-mustafes-ne-sallen-e-asamblese/

KALLXO.com, ka raportuar në vazhdimësi të këtij procesi- LINK