Ilustrim

Gjykata ia kthen prokurorit aktakuzën për falsifikim të lejeve për armë

 

Në gjykimin për falsifikim të lejeve për armë, Gjykata e ka detyruar prokurorin e çështjes që të bëjë precizimin e aktakuzës.

Sipas gjyqtarit Mustafë Tahiri, aktakuza e paraqitur nga prokurori Feti Turnizliu nuk i plotëson të gjitha kushtet të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale, prandaj sipas tij me të njëjtën nuk mund të procedohet më tej.

“Unë si kryetar i trupit gjykues nuk mund të procedoj më tutje deri sa prokurori të bëjë precizimin e aktakuzës, sepse diapozitivi 2 nuk i përmbush kushtet sipas nenit 142 të KPP pasi nuk përmban kohën dhe vendin”, deklaroi gjyqtari Tahiri.

Sipas tij me aktakuzën e paraqitur nga Prokuroria Themelore nuk mund të procedohet më tutje në shqyrtimin fillestar për faktin se në dispozitivin e aktakuzës ndaj të akuzuarit Hashim Rexhepi në përshkrimin e të njëjtit nuk figuron koha e kryerjes së veprës penale.

Po ashtu edhe për pikën e parë të kësaj aktakuze në dispozitivin sa i përket të akuzuarit tjetër Atdhetar Rexhepi,  sipas kryetarit të trupit gjykues janë paraqitur vetëm periudhat kohore.

Prandaj gjyqtari i rastit prokurorin e obligoi që në afat prej 30 ditësh të bëjë përmirësimin e dispozitiveve të kësaj aktakuze.

“Kryetari i trupit gjykues e obligon prokurorin e shtetit që në një afat prej 30 ditësh të bën përmirësimin e dispozitiveve të kësaj aktakuze sa i përket kohës së kryerjes së veprave penale e veçanërisht në pikën dy te vepra penale ndaj të pandehurit Hashim Rexhepi për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në mënyrë që të shkruhet saktë koha e kryerjes së veprës penale”, tha më tej gjyqtari.

Sipas gjyqtarit nëse nuk plotësohet aktakuza, ashtu siç është e tillë, me këtë diapozitiv të kësaj aktakuze nuk mund të procedohet me tej.

Prandaj në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit fillestar, seanca u shty për datën 14 nëntor.

Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 2016/17 i akuzuari Atdhetar Rexhepi, ka përpiluar dokumente publike fals që ruhen në bazë të ligjit, duke falsifikuar plotësisht lejet për armëmbajtje. Duke shënuar në to të dhënat e nevojshme të personave, Hashim Rexhepi, Flakron Maqani e Fitim Imeri të cilat leje nuk i plotësojnë tiparet e sigurisë sipas teknologjisë standarde dhe janë printuar në teknikën “elektrofotografi” që nuk kanë pasur reaksion nën rrezet UV dhe nën rrezet IK dhe nuk janë respektuar procedurat për lëshimin e lejeve për armëmbajtje të përcaktuara me dispozitat e Ligjit për Armë dhe rregulloren për armëmbajtje në Republikën e Kosovës.

I njëjti akuzohet se pastaj ka rregulluar edhe tri leje të tjera për armëmbajtje në emër të personave tjerë fizik, si Jahir Krasniqit, Selman Maqanit e Qëndrim Veselit, leje këto kinse të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Me anë të paraqitjes së rreme të fakteve të përshkruara më lartë, sipas prokurorisë i akuzuari Atdhetar Rexhepi gjatë viteve 2016/17 ka lajthitur personat Flakron Maqanin, Fitim Imerin, Jahir Krasniqin, Selman Maqanin dhe Qërndrim Veselajn, duke i nxitur të njëjtit që në dëm të pasurisë së tyre t`i japin veç e veç nga pesë mijë euro kinse për t`i pajisur me leje legale për armëmbajtje.

Kurse babai i të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, i akuzuari tjetër Hashim Rexhepi nga prokuroria akuzohet se si Drejtor i Sh.P.K “Fazani” nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitoj i akuzuari Atdhetar Rexhepi, në atë mënyrë që duke mos e penguar, atij i ka lejuar dhe mundësuar që të ndërmjetësoj midis Sh.P.K “Fazani” me persona fizik për të kryer shërbime për blerje, shitje dhe furnizim me armë dhe leje për armëmbajtje i cili nuk ka pasur asnjë pozitë në këtë Sh.P.K dhe kështu ka kontaktuar me personat e lartëcekur të cilët i ka mashtruar. Dhe për pasojë sipas aktakuzës pasi ua ka kërkuar dhe marrë lejet për armë bashkë me armët e përshkruara më sipër të cilat nuk ua ka kthyer si dhe dosjen e aplikimit për armë në emër të Festim Lushtakut të cilat kanë qenë në portofolin e të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, të cilin portofol e ka mbajtë i akuzuari Hashim Rexhepi në rrobat e veta që janë gjetur gjatë kontrollimit të përkohshëm të shtëpisë së të pandehurve.

Kurse i akuzuari i tretë Qëndrim Veselaj, sipas prokurorisë në cilësi të dëshmitarit ka dhënë deklaratë të rreme ashtu që në fillim të vitit 2016 në deklaratën me shkrim të dhënë në MPB ka deklaruar se kinse ‘ju ka humbur leja për armëmbajtje që e kishte marrë nga i akuzuari Atdhetar Rexhepi dhe dëshiron ta pajiset me leje të re për armëmbajtje’ edhe pse në fakt asnjëherë më parë MPB nuk i kishte lëshuar leje të tillë.

Atdhetar Rexhepi nga prokuroria akuzohet se me veprimet e lartë përmendura ka kryer veprat penale të falsifikimit të dokumentit, mashtrimit dhe armëmbajtjes pa leje, Hashim Rexhepi akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Qëndrim Veselaj për deklarim të rremë.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë rast.

Artikujt mund t’i gjeni në këtë link.

https://kallxo.com/gjykata-vendos-per-babe-e-bir-te-dyshuar-per-falsifikim-te-lejeve-te-armeve/

https://kallxo.com/ekskluzive-dyshimet-e-prokurorise-per-leje-false-te-armeve/

https://kallxo.com/arrest-shtepiak-te-dyshuarve-per-leje-false-te-armeve/

www.KALLXO.com