PTK - Foto: KALLXO.com

Gjykata i jep të drejtë Autoritetit të Konkurrencës rreth filialeve të Postës së Kosovës

Pak ditë më parë, Gjykata Themelore e Prishtinës në lëndën e udhëhequr nga gjyqtari Hajriz Hoti ka marrë aktgjykim me anët të të cilit e ka refuzuar si të pabazuar kërkesë-padinë e paditëses – Posta e Kosovës, më anë të së cilës është kërkuar që të anulohet vendimi i të paditurit – Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ndaj vendimit të këtij të fundit, vendim i cili urdhëron largimin e filialeve të postës nga institucionet publike.

Me 6 dhjetor të vitit 2016, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte marrë vendim që “Të gjitha marrëveshjet/kontratat e lartpërmendura në Pikën I bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, neni 4 ‘Marrëveshjet e Ndaluara’, paragrafi 1.4- ‘zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”, thuhej në vendimin e AKK-së.

Të pakënaqur me këtë vendim, më 15 mars të vitit të kaluar Posta e Kosovës me të autorizuarin paditësin Ragip Hoxha me anë të një kërkesë-padie e kanë kundërshtuar vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës të datës 6 dhjetor të vitit 2016 me anë të të cilit ishte vendosur që marrëveshjet e institucioneve publike me Postën e Kosovës për vendosjen e filialeve brenda objekteve publike janë në kundërshtim me ligjin e konkurrencës.

Sipas Postës së Kosovës vendimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i datës 6 dhjetor 2016 është nxjerrë me shkelje procedurale, si rrjedhojë e të cilit janë aplikuar në mënyrë të gabuar edhe e drejta materiale, si dhe nxjerrja e këtij vendimi sipas kërkesë-padisë së ushtruar nga Posta e Kosovës është bërë nga një organ jokompetent.

Bazuar në këto theksime të paditësit, Postës së Kosovës kërkohej që të anulohej vendimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i datës 6 dhjetor 2016, duke u konsideruar si i paligjshëm pasi që sipas paditësit një vendim i tillë është nxjerrë në shkelje procedurale dhe rrjedhimisht me aplikim të gabuar të së drejtës materiale, pasi që sipas paditësit, i padituri AKK-ja gjatë nxjerrjes së vendimit kontestues ka marrë për bazë nenin 4 par.1.4 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, e cila dispozitë ligjore sipas paditësit në aspektin material të zbatimit nuk cenon marrëveshjet e bashkëpunimit, për arsye se paditësja nuk ka kryer transaksione të pagesave me çmime të ndryshme tregtare siç ceket në këtë vendim të paditurit por që sipas Postës së Kosovës transaksionet janë kryer sipas rregullave të përcaktuara nga BQK-ja.

Tutje në këtë kërkesë-padi ndër të tjera thuhej se gjatë marrjes së vendimit të kontestuar, i padituri AKK-ja ka bërë shkelje esenciale të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës pasi që sipas paditësit, AKK-ja ka pasur obligim ligjor që t’ia dorëzojë palës paditëse njoftimin se ndaj të njëjtës kanë filluar procedurat për hetimin e rastit e që sipas kësaj kërkesë-padie AKK-ja ua ka mohuar të drejtën ligjore për dhënien e komenteve dhe provave të tjera dhe se një gjë të tillë e ka zhvilluar vetëm ndaj MPB-së dhe komunave, por jo edhe ndaj Postës së Kosovës si palë në procedurë.

Ndaj kësaj kërkesë padie, përgjigje në padi kishin ushtruar AKK-ja, e cila i kishte propozuar Gjykatës që padia e paditësit Postës së Kosovës të refuzohej si e pa themeltë.

Ndaj kësaj kërkesë-padie, në seancën e shqyrtimit kryesor parashtresë kishin dorëzuar edhe palët e interesuara si “Moneta” Shpk., “Vllesa Co”, “Propeid” sh.p.k, të cilët Gjykatës i kishin propozuar që kërkesë-padia e paditëses Posta e Kosovës, të refuzohej në tërësi si e pabazuar dhe të mbetej në fuqi vendimi kontestues i AKK-së i datës 6 dhjetor 2016.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të siguruar nga KALLXO.com thuhet se Gjykata pasi që ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të goditur me padi si dhe provat e administruara në seancën e shqyrtimit kryesor, si përfundim ka gjetur se kërkesëpadia e paditëses Posta e Kosovës është e pabazuar.

Në arsyetim të këtij aktgjykimi thuhet se Gjykata, për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të goditur me padi, i është referuar Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili e përcakton se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra ne mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese”.

Në këtë aktgjykim të siguruar nga KALLXO.com thuhet se Gjykata po ashtu i është referuar edhe nenit 10 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se “Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, ndërsa me nenin 119.3, përcaktohet se “Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara, me përjashtim kur këto lejohen në mënyrë eksplicite me ligj”.

Sipas këtij aktgjykimi marrëveshjet e Postës së Kosovës me MPB-në si dhe me Komunat  e Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës nuk janë të bazuara në asnjë ligj, apo dispozitë ligjore të aplikueshme ligjore, dhe se e kanë favorizuar paditësen, për ofrimin e shërbimit të pagesave, duke mos iu nënshtruar procedurave të konkurrimit, me ç’rast me këto marrëveshje, institucionet financiare jobankare konkurrente, të licencuara nga BQK-ja, për të njëjtat shërbime, i ka vendosur në pozitë të pabarabartë konkurruese në treg, duke rënë kështu në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshin, i cili për redaksinë tonë ka thënë se sipas tij i gjithë procesi gjyqësor ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe se tani do të presin deri sa aktgjykimi ta marrë formën e prerë.

I kontaktuar nga KALLXO.com zëdhënësi i Postës së Kosovës, Arsim Mehmeti, ka konfirmuar se Posta e Kosovës ditë më parë e ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore por që nuk ka dhënë detaje nëse deri më tani kanë ushtruar të drejtën e tyre për ankesë.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’

 

SQARIM:
Ky tekst është edituar sa i përket pjesës së emërtimit PTK për Postën e Kosovës, akronim i cili është larguar nga teksti.

Pas publikimit të artikullit, Posta e Kosovës ka paralajmëruar se pas këtij vendimi të Gjykatës do të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.