Gjykata i jep të drejtë aktivistit të deportuar të Vetëvendosjes

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje nga Shqipëria, Arbër Zaimi ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se Gjykata ka vendosur se deportimi i tij nga Kosova ishte i padrejtë.

Institucionet e Kosovës kishin marrë vendim për ta deportuar Zaimin nga Kosova duke pretenduar se e kishte shkelur ligjin për të huajt.

Zaimi i kishte paditur institucionet e Kosovës në lidhje me këtë dhe Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë sot vendim për ta shpallur të padrejtë vendimin për deportim.

“Sot aktivisti dhe juristi Berat Ganiqi më njoftoi se gjykata më në fund e aprovoi padinë time ndaj këtyre institucioneve, dhe e shpalli të padrejtë e të pabazuar vendimin e tyre”, ka shkruar Zaimi në Facebook.

Përveç tij, institucionet e Kosovës kishin marrë vendim për ta deportuar edhe Boiken Abazin.

Arbër Zaimi duke komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës ka gjetur hapësirë për t’i “sulmuar” ish zyrtarët e VV-së, të cilët tani janë në PSD.

“E njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe me rastin e Boiken Abazit, nëse do të ishte çuar në kohë ankesa e pastaj padia e tij. Por në atë kohë, kur pozitat burokratike e politike në LV drejtoheshin nga ata që më pas ikën, nuk ekzistonte dëshira e vullneti për t’u marrë me këto gjëra”, ka shkruar tutje ai.

“Gjykata sipas ligjit duhet të merrte vendim brenda 60 ditësh për këtë padi, megjithatë u detyruam të prisnim 3 vite. Do të vazhdoj ta ngre ligjërisht këtë çështje, bashkë me juristin Berat Ganiqi, deri sa të ndëshkohen fajtorët”, ka shkruar Zaimi tutje.

Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për Arbër Zaimin Foto: Facebook