Foto ilustrim

Gjykata holandeze dënon me burgim pjesëtarët e IS-it

Një Gjykatë holandeze e dënoi një militant të grupit ekstremist Shteti Islamik (IS) me 7 vjet e gjysëm burg, për krime lufte në Irak dhe Siri.

Ai kishte postuar në internet fotografi të viktimës së tij.

I lindur në Holandë, Oussama Achraf Akhlafa, 24 vjeç, u gjet fajtor për pjesëmarrje në organizatë terroriste.

Ai kishte luftuar përkrah militantëve të IS-it, në Mosul të Irakut dhe në Raka të Sirisë, në periudhën ndërmjet viteve 2014 deri 2016.

Akhlafa u gjykua sipas të ashtuquajturit juridiksion universal, i cili mundëson që krimet e luftës të ndiqen penalisht pavarësisht se ku janë kryer. Ky është gjyqi i parë në Holandë që ka të bëjë me krimet e luftës të kryera nga militantët e IS-it.

Prokurorët kishin kërkuar një dënim prej 7 vjet e 8 muajsh.

Një i akuzuar tjetër, 24 vjeçari Reda Nidalha, u dënua me 4 vjet e gjysëm burgim nën akuzat për anëtarësim në organizata terroriste, raporton Reuters.