Foto: BIRN

Gjykata Europiane shqyrton kërcënimet online ndaj punëtores së BIRN-it

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i ka kërkuar qeverisë serbe të sqarojë cilat janë masat të cilat i ka ndërmarrë për sigurinë e Sofija Todoroviq – e cila i ishte nënshtruar një fushate të kërcënimeve online me përmbajtje nacionaliste.

 

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka kërkuar nga qeveria serbe dhe nga punonjësja e BIRN, Sofija Todoroviq, për më shumë shpjegime pas ankesës së saj ndaj djathtistëve të cilët e kishin vënë atë si shënjestër përmes rrjetit online.

Gjykata i ka bërë thirrje të dy palëve që të paraqesin informacion dhe sqarime shtesë deri më 5 korrik.

Avokati i saj e quajti këtë një moment historik. “Kjo është hera e parë që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mori në konsideratë një rast të ndjekjes online në Serbi, duke dalë në mbrojtje të drejtave të njeriut”, tha për BIRN, Mihailo Pavloviq, avokati i cili përfaqëson Todoroviqin.

Ai theksoi se gjykata kishte ngritur pyetjen nëse Serbia kishte ndonjë mekanizëm për të mbrojtur njerëzit nga të qenit në shënjestër të rrjeteve online.

Në letrën e saj, një kopje të së cilës e kishte edhe Todoroviq më 28 qershor, gjykata kërkoi nga qeveria serbe të ofronte dokumente shtesë dhe të shpjegonte se çfarë masash mbrojtëse kishte marrë në këtë rast dhe nëse e kishte vlerësuar nivelin e rrezikut në lidhje me sigurinë e Todoroviq.

Gjykata kërkoi gjithashtu nga qeveria të shpjegojë se në cilat kushte statutore personat që janë kërcënuar përmes rrjeteve sociale kanë të drejtën e mbrojtjes policore në Serbi.

Djathtistët në Serbi filluan një fushatë të përbashkët kundër koordinatorit të projektit të BIRN pasi ajo raportoi për gjendjen e vështirë të një furrtari shqiptar i cili ishte vënë në shënjestër të kërcënimeve në vendlindjen e saj.

Ajo pastaj u bë shënjestër e një gjuhë të urrejtjes, ofendimeve dhe kërcënimeve ndaj saj përmes mediave sociale shoqëruar me përpjekjet për të hakuar llogarinë e saj në rrjetin social Twitter.

Todoroviq e raportoi rastin në policinë serbe më 6 maj dhe një ditë më vonë ajo e informoi Prokurorinë Speciale të Serbisë për Krime Kibernetike. Pas parashtrimit të disa ankesave që nuk u morën parasysh, avokati i Todoroviqit, Pavloviq, paraqiti një ankesë në lidhje me punën e Prokurorisë në Gjykatën e Apelit.

Meqenëse Prokuroria ende nuk e kishte kontaktuar, më 24 qershor, ajo paraqiti një ankesë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me rastin e saj.

Shënjestrimi i koordinuar filloi pasi Todoroviq dokumentonte kërcënimin nacionalist të një furrtari shqiptar në Serbi, i quajtur Mon Gjuraj. Nacionalistët, së pari, ri-postuan në rrjetin social Facebook një fotografi dyvjeçare të kushëririt të tij duke gjestikuluar me duart e tij shqiponjën dykrenarëshe, simbol kombëtar i shqiptarëve.

Më 27 prill, nacionalistët u mblodhën para furrës së tij në një periferi të Beogradit, duke thirrur slogane dhe duke kënduar këngë nacionaliste serbe nacionaliste. Disa afishe ku thuhet “Kosova është Serbi” janë vendosur në dritaret e furrës si dhe është hedhur një kokë derri në furrë – që ka si qëllim ndërlidhjen e tij me të qenit musliman. Një ngjarje e ngjashme u organizua përsëri më 4 maj.

Gjatë ngjarjeve të 27 prillit, Todoroviq ishte duke twituar drejtpërdrejt dhe në të njëjtën kohë duke publikuar videoinçizime të incidenteve.

Qysh nga ajo ditë, ajo ka qenë subjekt i kërcënimeve online për disa muaj. Djathtistët gjithashtu publikuan video rreth saj, duke e etiketuar me emra ofendues, duke ia përmendur familjen si dhe duke ri-postuar fotografi të vjetra që nuk janë më publike.