Gjykata e Tenderëve-140 Mijë Euro të Hyra nga Gjobat
Sipas raporteve vjetore të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) gjobat e lëshuara nga ky institucion për autoritetet kontraktuese që nuk respektuan vendimet e tij kapin vlerën 140 mijë euro për periudhën trevjeçare 2012-2014.
Sipas Ligjit për Prokurim Publik, OShP-ja mund të vendosë një gjobë jo më pak se 5 mijë euro për autoritetet kontraktuese që nuk respektojnë urdhrin e këtij institucioni brenda afatit prej 5 ditëve.
Në vitin 2014 për mosrespektim të vendimit OShP-ja i kishte shqiptuar gjobë prej 20 mijë eurosh Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL).
Një vit më herët me 2013, OShP-ja gjoba u shqiptoi Komunës së Partesh-it 10 mijë euro, Postës dhe Telekomunikacioni të Kosovës (PTK) 50 mijë euro dhe Trepçës 20 mijë euro, duke i çuar në 80 mijë euro të hyrat nga gjobat për atë vit.
Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh) e patën fatin e njëjtë në vitin 2012. Ato atëherë u gjobiten në total 40 mijë eurosh. MI-së iu shqiptua gjoba prej 10 mijë eurove dhe MSh-së prej 30 mijë eurove.
Në bazë të të dhënave të raporteve të OShP-së, del se në vitin 2013 janë shqiptuar gjoba në vlerën më të madhe.
Organi Shqyrtues I Prokurimit (OSHP), si organ I pavarur është themeluar nga Kuvendi I Kosovës , ndërsa mbikëqyr zbatueshmërinë e Ligjit të Prokurimit.
Të hyrat ky institucion i siguron nga buxheti i Kosovës, por edhe nga gjobat dhe tarifat e sigurimit të ankesës.
OShP-ja ndryshe njihet si gjykatë e tenderëve.