Gjykata e Prizrenit ka trajtuar 116 raste të dhunës në familje gjatë vitit 2018

Kryetari i Gjykatës Themelore Prizren, Ymer Hoxha ka mbajtur konferencën vjetore dhe përmbyllëse për të treguar të arriturat dhe sfidat nëpër të cilat kanë kaluar gjatë këtij viti.

Në fillim të konferencës Ymer Hoxha kërkoi nga mediat që të informohen që të gjithë qytetarët që dy ditë gjatë secilit muaj, janë ditë të hapura për takim me kryetarin për të gjithë qytetarët që mund të kenë ankesa në punën e Gjykatës Themelore Prizren, këto ditë janë e hëna e parë e muajit dhe e hëna e tretë e muajit, nga ora 14:00.

Më tutje kryetari Hoxha paraqiti të arriturat, sukseset, punën, por edhe sfidat e Gjykatës Themelore Prizren, duke vënë në pah mungesën e stafit mbështetës dhe hapësirat e duhura për punë të stafit.

Ymer Hoxha theksoi se për tu veçuar është efikasiteti në kryerjen e lëndëve. Sipas statistikave të paraqitura, Gjykata Themelore Prizren për nga numri i lëndëve të zgjidhura del të jetë 100 % efikase dhe e e suksesshme.

Kështu sipas statistikave Gjykata Themelore Prizren rezulton që në vitin 2018 janë trashëguar 17.597 lëndë, kanë ardhur në Gjykatë deri në nëntor 2018 gjithsej 24.938, janë kryer deri në nëntor 2018 gjithsej 26.379 lëndë.

Ndërsa në fund të muajit nëntor kanë mbetur 16.156 lëndë. Nga kjo rezulton se Gjykata ka 105.78 % të lëndëve të kryera.

Gjatë fjalës së tij, kryetari Hoxha i kushtoi rëndësi të veçantë lëndëve të korrupsionit, i cili sqaroi se gjatë vitit 2017 janë kryer 22 lëndë të korrupsionit, ndërsa mbeten në punë edhe 8 raste.

Ndërsa për lëndët që janë të shenjëzuara për liberalizimin vizash kryetari Hoxha theksoi se janë kryer 5 raste, ndërsa janë në punë vetëm 2 raste. Ndërsa sipas tij gjyqtarët i japin rëndësi të veçantë këtyre lëndëve, duke i trajtuar me prioritet dhe duke pasur kujdes të veçantë në afate dhe procedura.

Kryetari Hoxha theksoi faktin se është shqetësuese se është në ngritje numri i rasteve të dhunës në familje, po njëkohësisht është shenjë e mirë sepse po punohet në këtë drejtim për parandalim të kësaj dukurie por edhe vetëdijësimin për raportimin e këtyre rasteve.

Gjykata e Prizrenit ka trajtuar 116 raste të dhunës në familje, nga këto 60 raste të përfunduara dhe të zgjidhura, ndërsa 55 janë ende në punë.

Pos sukseseve të Gjykatës, kryetari Hoxha tregoi edhe sfidat e që sipas tij mbetet numri i paktë i gjyqtarëve, pasi që sipas tij vazhdimisht po ka lëvizje, gjyqtarë që dalin në pension por edhe që avancohen në Gjykatën e Apelit.

Ndërsa problem edhe më i madh është numri shumë i vogël i stafit mbështetës si referentë, apo edhe bashkëpunëtorë profesional.

Por sipas kryetari Hoxha, edhe po të rritej numri problem tjetër mbetet mungesa e hapësirës, pasi që as edhe një zyrtar tjetër nuk është e mundur të vendoset në ndonjë zyrë.

Hoxha paralajmëroi që nëse në një kohë të arsyeshme nuk ka lëvizje nga Komuna e Prizrenit për të siguruar një hapësirë për ndërtimin e pallatit të drejtësisë apo objektit të ri të Gjykatës, do të humben edhe ato donacione dhe shuma që janë ndarë për ndërtimin e objektit të ri.