Gjykata Themelore e Pejes - Foto: :Atdhe Mulla

Gjykata e Pejës dënon të akuzuarit për grabitje

Agron Saraqi e Hysni Pajaziti, të akuzuarit për veprën penale të grabitjes, vepër të cilën e kishin kryer në vitin 2010, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burg.

“Pas konsultimit, Gjykata vendosi që të shpallë këtë aktgjykim: Agron Saraqi dhe Hysni Pajaziti shpallen fajtorë për veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje ashtu që gjykohen:

Agron Saraqi me dënim me burg prej 6 muaj, i cili mund t’i zëvendësohet me gjobë prej 2.500 euro, ndërsa te akuzuarit Hysni Pajaziti i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 85 ditëve, kohë kjo e cila përputhet me kohën e kaluar në paraburgim”, tha kryetari I trupit gjykues Salih Berisha.

Sot gjatë ditës të akuzuarit e pranuan fajësinë për akuzën me të cilën ngarkoheshin.

https://kallxo.com/pranojne-fajesine-per-grabitjen-e-kryer-ne-vitin-2010/

Për rastin e njëjtë në vitin 2011 ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me nga 8 muaj burgim secili mirëpo gjykata e shkallës së dytë e kishte kthyer rastin në rigjykim për shkak se nuk kishte parë elemente te bashkëkryerjes.

Agron Saraqi dhe Hysni Pajaziti akuzohen nga Prokuroria Themelore në Pejë se me qëllim që t`i sjellin vetes përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme dhe duke përdorur dhunën, sulmojnë jetën apo trupin e të dëmtuarit Kreshnik Nila dhe grabisin veturën e tipit Golf 5 si dhe 4 telefona mobilë.