Shpallja e aktgjykimit në rastin e të akuzuarit Nimon Berisha - Foto: KALLXO.com

Gjykata e liron të akuzuarin për vrasje në pompën e benzinës në Pejë

Pas një gjykimi maratonik, Gjykata e Mitrovicës ka shpallur aktgjykimin në rastin e të akuzuarit për vrasjen e Isa Karagjyzit.

Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Avni Mehmeti, Sabit Rama dhe Burim Ademi, ka shpallur aktgjykimin nën masa të shtuara të Policisë.

Gjykata të pandehurin Nimon Berisha e ka liruar në tërësi nga të dy pikat e aktakuzës të cilat e ngarkonin atë me vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Berisha po ashtu është liruar nga të gjitha shpenzimet procedurale.

Kurse me shpalljen e këtij aktgjykimi Nimon Berishës i është ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak.

Ndërsa familja e të ndjerit Isa Karagjyz është udhëzuar në kontest civil lidhur me kërkesën pasurore juridike.

Në arsyetimin e shkurtër të dhënë nga gjykatësi Mehmeti thuhet se: “Ka qenë një vendim i rëndë deri sa kemi arritur këtu”.

“Disa prej provave që kemi pasur në posedim kanë qenë vetura dhe çelësat e veturës. Sa i përket kësaj nuk ka qenë kontestuese se ka qenë në posedim të veturës e cila është përdorur në kryerje të veprës penale ose dyshohet që është përdorur. Ndërsa sa u përket çelësave kemi të paktën dy prova që tregojnë se ka ekzistuar të paktën edhe një çelës. Kurse sa i përket gjurmëve që janë gjetur në derën e automjetit të të pandehurit gjegjësisht që e ka poseduar i pandehuri dhe një gjurme të ADN-së që është gjetur në kapakun e veturës Gjykata ka konstatuar se përderisa i pandehuri e ka vozitur automjetin disa muaj më herët dhe dy ditë para se me ndodh rasti ka qenë shumë e mundshme që gjurmët e tij me mbetë… Faktet kryesore nuk kanë mundur të provohen… Kanë ekzistuar tri ekspertiza në Gjermani, Austri, Turqi, nuk kanë mujtë me bë identifikimin se kush është kryersi i veprës penale“, ka thënë gjykatësi Mehmeti.

Gjithashtu Mehmeti ka shtuar se ky është vetëm vendimi i shkallës së parë dhe palët mund të ankohen në instancat më të larta të gjykatave.

Ndryshe Nimon Berisha nga Prokuroria Themelore e Pejës akuzohet se më 31 dhjetor 2014 rreth orës 06:35, në pompën e benzinës “D-Petrol” në Pejë, me qëllim të përfitimit material me pushkë automatike ka vrarë në mënyrë dinake tani të ndjerin Isa Karagjyzi, i cili ishte punëtor i pompës së benzinës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me automjetin e tipit “Hamer” me targa amerikane kishte shkuar në këtë pompë benzine ku e kishte mbushur rezervuarin në shumën 128 euro.

Sipas aktakuzës, pasi Nimon Berisha kishte vërejtur që Isa Karagjyzi ndodhej vetëm në pompën e benzinës, kishte nxjerrë armën automatike AK 47 dhe e kishte qëlluar në gjoks me një predhë Karagjyzin, i cili po priste që Berisha t’i bënte pagesën për karburantin.

Në aktakuzë thuhet se Karagjyzi kishte vdekur nga goditja me armë, ndërsa i akuzuari i kishte marrë çantën e dorës në të cilën ndodheshin 2000 euro, duke ikur pastaj në drejtim të panjohur.

Në këtë proces gjyqësor përpos për vrasje të rëndë, Nimon Berisha akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Gjykimi për këtë çështje kishte nisur në Gjykatën Themelore të Pejës, por me vendim të Gjykatës së Apelit më 3 mars 2017, çështja në fjalë ka kaluar në kompetencë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke u kthyer përsëri në fillim, raporton Kallxo.

Kjo kishte ndodhur për shkak se avokati i mëparshëm i të pandehurit, Haxhi Çekaj, nga Prokuroria Speciale akuzohet për mashtrim.

Çekaj akuzohet se mashtroi të bijën e të akuzuarit Nimon Berisha, duke i shkaktuar dëm material në vlerën e 50 mijë eurove.

Hetime ishin bërë edhe ndaj anëtares së trupit gjykues  ku është gjykuar rasti në Pejë, gjyqtares Nushe Kukaj- Metaj.

https://kallxo.com/leshohen-ne-gjykate-video-incizimet-e-vrasjes-ne-peje/

https://kallxo.com/gjykimi-per-vrasjen-ne-pompen-e-benzines-ne-peje-i-akuzuari-serish-deklarohet-i-pafajshem/

www.kallxo.com