Gjykata e Hagës Liron Gazetaren Florence Hartmann

Presidenti i Mekanizmit në Hagë për Gjykatat Ndërkombëtare, Theodor Meron, tha të martën se Hartmann do të lirohet pas kreu dy të tretën e dënimit të saj me shtatë ditë burg.

“Në përcaktimin se Hartmann duhet të fitojë lirim të parakohshëm, presidenti mori në konsideratë sjellja e saj shembullore në Njësinë e Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara dhe kryerjen e më shumë se dy të tretës të dënimit të saj ishin në favor të lirimit të saj,” tha Mekanizmi për Gjykatat Ndërkombëtare.

Hartmann u arrestua të enjten e kaluar jashtë Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë para dhënies së vendimit për Radovan Karaxhiçin për krime lufte.

Hartmann u dënua për shpërfillje nga gjykata e OKB-së për krime lufte në vitin 2011, pasi ajo përdori disa nga dokumentet e gjykatës në librin e saj Paix et Chatiment (Paqe dhe Ndëshkim) dhe një artikull, duke zbuluar detajet e një vendimi nga gjykata për të fshehur dokumentet në lidhje me përfshirjen e Serbisë në masakrat e Srebrenicës në vitin 1995.

Ajo fillimisht u gjobit me 7,000 euro, por dënimi më vonë u shndërrua në shtatë ditë në burg pasi gjykata pohoi se gjoba nuk ishte paguar. Në dhjetor 2011, Franca refuzoi një kërkesë për ekstradimin e Hartmann.

Në vendimin e tij për t’i dhënë lirim të parakohshëm, Meron refuzoi gjithashtu një ankesë të paraqitur nga avokatët e Hartmann mbi kushtet e mbajtjes së saj në paraburgim në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së ku ata thanë se ajo po mbahej e izoluar në një qeli.

Rreth 100 aktivistë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë nga i gjithë Ballkani publikuan një letër të hapur duke shprehur mbështetje për Hartmann ditën e hënë, duke u shprehur se ajo nuk duhet të ndëshkohet se u përpoq të ekspozonte të vërtetën.

Hartmann është një ish-korrespondente e Ballkanit për gazetën franceze Le Monde. Në vitin 2000 ajo shkoi të punonte për Gjykatën si zëdhënëse e kryeprokurorit dhe qëndroi atje deri në vitin 2006.