Gjykata e Gjakovës e hedh pjesërisht aktakuzën ndaj Pal Lekaj

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka hedhur pjesërisht aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës dhe aktualisht ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Gjykata Themelore e Gjakovës e ka konfirmuar aktakuzën sa i përket veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, derisa e ka hedhur aktakuzën për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Në aktvendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuhet se sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndaj të akuzuarit Pal Lekaj, provat që i janë bashkangjitur aktakuzës nga ana e prokurorisë janë të pranueshme dhe qëndrueshmëria e tyre do të vërtetohet në seancën e shqyrtimit kryesor.

Ndërsa sa i përket veprës penale të përvetësimit në detyrë, kjo gjykatë e ka hedhur poshtë këtë pikë të aktakuzës në mungesë provash.

Kjo gjykatë e ka konfirmuar aktakuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim lidhur me subvencione edhe ndaj të akuzuarve të tjerë, Ismet Isufi, Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini, Dafina Thaqi dhe Veli Hadaraga.

E njëjta gjykatë e ka hedhur aktakuzën për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare edhe ndaj Ismet Isufit, Pashk Sylës, Bekim Sylës, Teuta Mejzinit dhe Dafina Thaqit.

Ish-kreu i Komunës së Gjakovës dhe aktualisht ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me në maj të këtij viti.

Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 10 prill 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, duke e ngarkuar me dy vepra penale, atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të përvetësimit në detyrë.

Ministri Lekaj akuzohet se dëmtoi për 70 mijë euro Komunën e Gjakovës