Gjykata e dënoi me burg Fadil Bregajn, u gjet fajtorë për disa vjedhje

Fadil Bregaj, i akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për veprat penale të vjedhjes është dënuar me 7 muaj burgim dhe 400 euro gjobë. Ky dënim iu shqiptuar Bregajt, pasi gjykata e gjeti fajtorë për veprat penale që e ngarkonte prokuroria.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës e akuzonte Fadil Bregaj se në mars  të vitit 2017, në fshatin Grabovc të Komunës së Zveçanit, nga e dëmtuara Milije Krostoviq, në depon e ushqimit të bagëtive “Maja Eks”, ka vjedhur shumën prej 90 eurove.

Gjithashtu Bregaj akuzohej se në qershor 2017, në fshatin Srbovac të Komunës së Zveçanit, nga automjeti i të dëmtuarit Aleksandar Vukceviq ka marrë çantën me gjësende personale dhe të holla në vlerë prej afër 4.700 euro dhe 14.000 dinarë.

Për këto dy vepra penale të vjedhjes të kryera në vitin 2017, Fadil Breagaj akuzohej se ka kryer veprën penale ‘vjedhja” nga neni 325 dhe 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Bregaj në mënyrë të kundërligjshme, më 13 dhe 28 prill si dhe më 11 maj 2018, në Mitrovicë, u ka dhënë shenjë veturave të dëmtuarve Nenad Kabanica, Zoran Damnjakoviq, Ivica Djosiq që të ndalen me arsyetimin se kanë probleme me veturën.

Tutje në akuzë thuhet se Bregaj në bashkëkryerje me të akuzuarin Behxhet Saraqi, në mungesë të vëmendjes të të dëmtuarve, nga automjeti i të dëmtuarit Nenad Kabanica ka marrë çantën e vogël  ku kanë qenë afër 200 euro dhe 1000 dinarë, nga automjeti i të dëmtuarit Ivica Djosiq ka marrë çantën në të cilën kanë qenë 1.300 euro dhe 4000-5000 dinarë si dhe nga automjeti i të dëmtuarit Zoran Damnjanoviq ka marrë çantën nga ulësja e pasagjerit në të cilën kanë qenë dokumentet personale të të dëmtuarit, 120 euro dhe telefonin mobil “Nokia’.

Bregaj në seancën e shqyrtimit fillestar e ka pranuar fajësinë lidhur me të gjitha veprat penale për të cilat akuzohej.

Prokurori Arjan Xhema, gjatë seancës ka bërë rikualifikimin e veprave penale të kryera në vitin 2017, nga ajo e “vjedhjes” në atë të “vjedhjes në vazhdimësi”.

Rikualifikim të njëjtë prokurori Xhema ka bëre edhe për veprat e kryera gjatë vitit 2018.

Në këtë rast, së bashku me Bregajn akuzohet edhe Behxhet Saraqi, por ndaj tij u veçua procedura penale.

Kurse pesë të dëmtuarve u është aprovuar pjesërisht kërkesa pasurore juridike, Për të dëmtuarën Milije Krostoviq, i akuzuari Bregaj u obligua të paguajë dëmin e shkaktuar në vlerë prej 90 euro,  për të dëmtuarin Nenad Kabanica shumën prej 200 euro dhe për të dëmtuarin Zoran Damnjakoviq shumën prej 120 euro, në afat prej 30 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.