Vendimi i Gjykatës së Apelit që hedh poshtë ankesën e KPK-së në vendimin e Gjykatës Thnemelore në padinë e fituar nga BIRN

Gjykata e Apelit Vendos: BIRN Fiton Betejën Ndaj KPK-së

Ky kolegji i gjyqtarëve të Departamentit Administrativ pranë Gjykatës së Apelit e kanë refuzuar ankesën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, kundrejt aktvendimit të Gjykatës Themelore të datës 29 gusht 2016 me të cilin ishte vlerësuar si e pasafatshme ankesa e KPK-së ndaj aktgjykimit të datës 28 qershor 2016 të Gjykatës Themelore. Vendimi thoshte se KPK kishte vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi kur ka refuzuar kërkesën e BIRN-it për qasje në dokumente publike.

Gjykata e Apelit i ka gjetur të pabazuara pretendimet e ankesës së KPK-së të paraqitura përmes përfaqësuesit të tyre, tani kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Durguti.

Ky është aktgjykimi i dytë në favor të Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, pas atij ndaj Zyrës së Kryeministrit, ku Gjykata i ka lejuar qasjen në të gjitha dokumentet publike, faturat e shpenzimeve të kryeministrit, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë.

Ankesa e KPK-së pretendonte në shkelje të dispozitave procedurale kontestimore nga Gjykata Themelore, mirëpo këto pretendime janë gjetur të pabazuara.

“Nga gjendja e vërtetuar, kolegji i Gjykatës së Apelit, njëjtë vlerëson se Gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar gjendjen dhe ka zbatuar dispozitat ligjore në fuqi të cekura si më lartë meqë afatet ligjore janë prekluzive. Andaj meqë sipas theksimeve në ankesë nuk mund të vërtetohet gjendje tjetër faktike nga ajo e vërtetuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, ankesa e të paditurit refuzohet si e pabazuar ndërsa aktvendimi i animuar vërtetohet si i drejtë i bazuar në prova dhe në ligj”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Kësisoj, BIRN përfundimisht ka dalë fitues i betejës ligjore me KPK-në.

Pas këtij vendimi, KPK nuk do mund t`i mbajë më të mbyllura për publikun vendimet e formës së prerë të rasteve disiplinore ndaj prokurorëve.

http://kallxo.com/fillon-gjyqi-birn-vs-kpk/

Me aktgjykimin e datës 28 qershor 2016, Gjykata kishte vërtetuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e tjera në fuqi, pasi ka refuzuar kërkesën e BIRN-it për qasje në dokumente publike – vendime të formës së prerë, përmes së cilave vendime u janë shqiptuar masa disiplinore prokurorëve.

“Informacioni i kërkuar sipas vlerësimit të Gjykatës nuk mund të konsiderohet privat ngase veprimet e individëve në kapacitetet e tyre zyrtare, si prokurorë, janë akte zyrtare të nëpunësve publikë, që kryejnë detyrë publike dhe se aktet e tyre kanë ndikim të drejtpërdrejt në të drejtat ligjore të qytetarëve të Republikës së Kosovës, me ç’rast kërkojnë integritet dhe besueshmëri në procesin e vendimmarrjes nga ana e prokurorëve dhe si pasojë çdo sjellje e pahijshme nga ana e tyre bie brenda përjashtimit të “privatësisë” dhe në rastin sikur do të binte brenda domenit të privatësisë së tyre do të eliminonte në themel natyrën publike të detyrave që u janë besuar prokurorëve si mbrojtës të ligjit në Kosovë”, thuhej në aktgjykim.

Gjykata kishte hedhur poshtë pretendimet e palës së paditur se me qasjen në dokumentet e kërkuara nga BIRN shkelet privatësia e prokurorëve.

“Prokurorët publikë të Kosovës dihen me emër dhe mbiemër se kush janë dhe se momenti i dekretimit ka qenë publik dhe se publikimi i emrit dhe mbiemrit të prokurorit dhe masave disiplinore të shqiptuara ndaj tyre nga i padituri nuk do të cenonte të dhënat personale. Ngase këtu paditësi nuk ka kërkuar dokumente te i padituri të fazës së hetimit disiplinor ndaj prokurorëve, por ka kërkuar dokumente, përkatësisht vendime përfundimtare”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës.

Po sipas këtij aktgjykimi, Këshilli Prokurorial i Kosovës del se ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Procedurën Administrative, Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Dokumentet e kërkuara nga paditësi (BIRN), përkatësisht vendimet e formës së prerë, që kanë të bëjnë me masat disiplinore të shqiptuara ndaj prokurorëve, nuk bëjnë pjesë në llojet e dokumenteve që përjashtohen nga qasja sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. E drejta e qasjes në dokumente publike është e drejtë themelore për një shoqëri të lirë dhe demokratike dhe një nga treguesit e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së autoriteteve publike ndaj qytetarëve, shoqërisë civile, mediave, etj.”, thuhej ndër të tjera në aktgjykim.

Më këtë aktgjykim Gjykata përfundimisht e ka obliguar KPK-në që ta anulojë vendimin me të cilin që nga viti 2011 ka refuzuar t`ia lejojë BIRN-it qasjen në dokumentet e kërkuara. Rrjedhimisht e ka obliguar që t`ia lejojë qasjen BIRN-it në të gjithë vendimet e formës së prerë me të cilat janë shqiptuar masa disiplinore kundër prokurorëve të Republikës së Kosovës.

Raportet për këto dy padi të BIRN-it dhe seancat e zhvilluara mund t’i gjeni këtu.