Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Gjykata dënon me burgim ferizajasin për dhunim të së miturës

Gjykata e Ferizajt ka shpallur sot aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.H., i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, akuzohet se ka kryer veprën penale – dhunim.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Kadrije Goga – Lubishtani, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor,  të pandehurin A.H. për veprën penale – dhunim e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej pesë vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I pandehuri A.H, akuzohet se në dhjetor të vitit 2018 në komunën e Ferizajt, përkatësisht në shtëpinë e tij, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – të mitur E., në atë mënyrë që posa e ka dërguar në shtëpinë e tij e ka futur në një dhomë dhe aty e ka detyruar për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, duke përdorur forcën me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit përmes Gjykatës së Ferizajt.