Marko GJuriq - Foto: REL/AP

Gjuriq për kremtën e 20 vjetorit të çlirimit: Ballo cinikësh dhe vampirësh

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq e ka quajtur “ballo cinikësh dhe vampirësh”, tubimin qendror në Prishtinë për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ku morën pjesë edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit Madeleine Albright dhe ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, raporton B92.

Sipas Gjuriq, gjithë kjo ishte organizuar nga tri personalitetet në fjalë.

“Populli serb në Kosovë janë  njerëz të uritur. Edhe 20 vjet pas përfundimit të agresionit të NATO-s, nuk janë dënuar ende autorët e krimeve kundër serbëve dhe të gjithë atyre që nuk pranuan ti bashkoheshin terrorizmit të UÇK-së”, citohet të ketë thënë Gjuriq.

Gjuriq këto deklarime i bëri në një mbledhje të organizuar nga e ashtuquajtura “Shoqata e Serbëve të Kosovës dhe Metohisë”.

Ai kishte shtuar se po festohet dëbimi i  56 për qind të popullatës jo-shqiptare në Kosovë, dhe siç citohet të ketë thënë “pastrimi etnik i më shumë se 300 vendbanimeve të banuara nga serbët”.

Në Kosovë të mërkurën u kremtua 20 vjetori i çlirimit me rastin e hyrjes së trupave të NATO-s.

Clinton, Albright dhe Clark u shprehën krenarë për ndërhyrjen e tyre në Kosovë dhe sjelljen e lirisë për shqiptarët që po vriteshin dhe po dëboheshin nga vendi i tyre nga ana e forcave serbe.

Në 20 vjetorin e çlirimit, Kosova nderoi miqtë që e shpëtuan