Marko Djuriç, kreu i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, me ministren e drejtësisë Nela Kuburoviç. Foto: Beta

Gjuriq: I Treguam Merkel-it si Ndodhi Arrestimi Im

Marko Gjuriq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se kancelares Merkel i është treguar krejt ajo që ndodhi gjatë arrestimit të tij më 26 mars.

Në një intervistë për televizionin publik serb RTS, Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, tha se gjatë takimit të djeshëm me kancelaren gjermane Angela Merkel, asaj i është treguar krejt ajo që ndodhi më 26 mars.

“Ne treguam fakte për të gjitha që ndodhën atje dhe kjo që Merkel dëshiroi t’i dëgjojë këto nga Presidenti, flet mjaft. Ky ishte një takim i rëndësishëm në të cilin pala jonë u paraqit përgjegjshëm dhe seriozisht”, deklaroi Gjuriq.

Ai tha se Merkelit i treguan pikë pas pike se çfarë nuk është zbatuar nga marrëveshjet e Brukselit.

“Paraqitëm jo vetëm gjendjen faktike në terren, por edhe pikë pas pikë çfarë nuk është zbatuar dhe jemi marrë vesh në dialogun e Brukselit”, tha Gjuriq.

Ai foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni duhet të themelohet ashtu siç jemi marrë vesh. Nëse vërtet asgjë e re nuk duhet të formohet dhe ndryshojë, atëherë pse kanë diskutuar me ne”, pyeti Gjuriq.

Ai deklaroi se Serbia do ta ketë vështirë në raport me zgjidhjet për Kosovën.

“Sigurisht që pas të gjithave që ndodhën në virin 1999, 2004 dhe 2008, kur u shpall njëanshëm pavarësia e Kosovës, Serbia përballet me zgjidhje të vështira.Kur keni përkrahje të ideve të gjetjes së kompromisit, atëherë krijohet njëlloj hapësire manovruese për Serbinë”, tha Gjuriq.

Marko Gjuriq ishte arrestuar më 26 mars në Mitrovicën Veriore, pasi hyri pa leje në Kosovë. Ai atë ditë ishte sjellë në Prishtinë dhe më pas ishte deportuar nëpërmjet Merdarit.

Gjuriq më pas, gati dy javë pas arrestimit, erdhi për pashkët ortodokse me leje në Kosovë.