Azbi Gashi, asamblisti i LVV-së në Rahovec - Foto: Facebook

Gjuan me Armë, Arrestohet Asamblisti i LVV-së

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Azbi Gashi, është arrestuar sot nga Policia pasi ka shtënë me armë zjarri në ajër pas një përleshjeje që ka pasur më nxënësin e Shkollës Profesionale “Selajdin Mullaabazi-Mici” në Rahovec, ku edhe jep mësim si profesor.

Frashër Krasniqi nga LVV-ja ka thënë se nuk janë në dijeni për arrestimin e Gashit.

Mirëpo, sipas tij, arsyeja e arrestimit nuk ka të bëjë me aktivitetin e tij si asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne nuk kemi asnjë informacion për arrestimin e tij. Mirëpo nga informata që po na e jepni ju, Lëvizja Vetëvendosje këtë e sheh si çështje personale të Azbi Gashit”, ka deklaruar Frashër Krasniqi.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me asamblisten tjetër të LVV-së në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Minire Hoti, por ajo nuk është përgjigjur në telefon.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit, Nahit Elshani, ka thënë për KALLXO.com se nuk është në dijeni për arrestimin e asamblistit Azbi Gashi.

“Unë nuk e kam këtë informatë. Ai sot ka qenë në mbledhje në Asamble deri pak para orës 12:00 dhe unë s`jam në dijeni se çka ka ndodhur më pas”, ka thënë kryesuesi Nahit Elshani.

Ai ka thënë se do të kërkojë në mbledhjen e ardhshme sqarime rreth asaj që ka ndodhur, pasi që i arrestuari është asamblist i kuvendit komunal.

Elshani ka thënë se asamblisti i arrestuar Azbi Gashi nuk ka shfaqur shenja se është i dhunshëm dhe as nuk është në dijeni nëse ka bartur armë edhe në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Rahovecit.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Rahovec, Osman Ismajli, ka konfirmuar për KALLXO.com se profesori së bashku me nxënësin janë arrestuar pas këtij incidenti.

“Ka ndodhë një përleshje dhe është shtënë me armë zjarri,” ka thënë Ismajli.

Kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj, ka sqaruar se zënka me të shtëna në mes profesorit dhe nxënësit të shkollës ka ardhur pas një konflikti që nxënësi me mësuesin e kanë pasur para dhjetë ditësh në ekskursionin e shkollës në Prishtinë.

“Mësuesi pas këtij konflikti ka deklaruar se është ndier i frikuar dhe ka bartur armën me veti”, ka thënë kryeprokurori Selimaj.

http://kallxo.com/profesori-nga-rahoveci-gjuan-arme-ne-zenken-nxenesin/