Gjinovci paralajmërohen protesta të studentëve

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka prezantuar analizën e pensionimit të profesorëve në Universitetin e Prishtinës, të cilët nuk i justifikojnë titujt akademik bazuar në punimet e tyre shkencore.

Ky studim tregon se pjesa më e madhe e profesorëve të rregullt që nuk i kanë titujt e justifikueshëm do të vazhdojnë të punojnë për shumë vite.

Rron Gjinovci tha se sa herë që planifikohet ndonjë krim i organizuar në formën joformale, universitetet nxjerrin flamurin e autonomisë.

Ai tha se nëse nuk ndërmerren masa për profesorët që nuk i justifikojnë titujt akademik, atëherë shtatori dhe tetori do të na presin protesta.

“ORCA dhe njerëzit me të cilët unë bashkëpunoj nuk kemi me qendru duarkryq, shtatori edhe tetori ka me na pritë me situatë të ngjashme me atë të vitit 2014 si me rastin e rektorit të atëhershëm, Ibrahim Gashi kur edhe ka fillu formalisht lufta e shoqërisë kosovare për integritet akademik”, tha Gjinovci.

Ky paralajmërim për protestat është bërë në prani të ministrit të arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Ai i cili tha se analiza e prezantuar për përqindjen e lartë të profesorëve që nuk i justifikojnë titujt tregon shumëçka për Universitetin.

Ai tha se problemi i arsimit të lartë duhet të rregullohet, por duhet të punojnë të gjithë pasi nuk është çështje që rregullohet as nga një person e as për kohë të shkurtër.

Ai tha se problemi me tituj akademik është i njëjtë në të gjitha Universitetet.

“Universiteti i Prishtinës është baza e gjitha Universiteteve. Është në interesin tonë dhe atë publik që të punojmë më shumë në këtë drejtim, sigurisht ne si ministri do të punojmë rreth kësaj, por nuk janë gjëra që kryhen për pak kohe dhe as nga një njeri, por duhet ta ngrisim në nivel qytetar”, tha Bytyqi.

Ai tha se studenti duhet të kërkojë cilësinë.

“I takon Universitetit të Prishtinës dhe të gjitha universiteteve të ngritin cilësinë sepse cilësia është ajo që ne po pretendojmë, ato e kanë obligim kryesor të kenë profesorë të duhur”, tha Bytyqi.

Ai ka thënë arritja në karrierë dhe tek titujt pa i merituar, në rastet kur karriera e tyre e dëmton qytetarin, atëherë qeveria nuk duhet të rrijë duarkryq. Por, hapi i parë që duhet bërë sipas tij është heqja e “flamurit të autonomisë” nga Universitetet.

“Askush nuk mund të bëjë çka të dojë nëse diçka është në interes të publikut”, tha ai.

Adea Kondirolli njëra ndër autoret e analizës së prezantuar tha se gjatë hulumtimit kanë gjetur se 72 për qind e profesorëve të rregullt në Universitetin e Prishtinës nuk i justifikojnë titujt akademik duke parë punimet e tyre shkencore.

“Analiza e këtij hulumtimi të bërë gjatë dhjetorit të vitit 2017 dhe të rishqyrtuar në prill të vitit 2018 tregon se nga 481 profesorë 346 prej tyre ose 72 për qind e profesorëve nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik parë nga aspekti i punimeve shkencore. Ajo që kemi ngritë shqetësim është rasti i 122 profesorëve të rregullt të cilët nuk i justifikojnë titujt akademik, por që kanë kontrata të përhershme dhe pozita e tyre është e pacenueshme”, tha Kondirolli.

Kurse Venera Çoçaj po ashtu autore në këtë analizë tregoi se profesorët e rregullt, të cilët nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik, por që vazhdojnë të ligjërojnë në UP është i lartë e kjo është shqetësuese.

“Nga 122 profesorët e rregullt që nuk i justifikojnë titujt akademik, 36 prej tyre pritet të pensionohen gjatë këtij viti ndërsa të tjerët që sigurisht nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik pritet të pensionohen në 18 vjetët e ardhshme, që do të thotë se profesori i fundit do të pensionohet në vitin 2036, analizë kjo e bazuar nga CV-të  e tyre të publikuara në ueb- faqen e Universitetit të Prishtinës”, tha Çoçaj.