Takimi i Ardian Gjinit me bizneset | Foto: Komuna e Gjakovës

Gjini Takohet me Bizneset për Këshillin Publiko - Privat

Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka zhvilluar sot takimin e parë konsultativ me bizneset lokale në Gjakovë, duke ndërmarrë kështu hapin e parë për themelimin e Këshillit Publiko – Privat.

Kryetari Gjini ka thënë se formimi i këtij Këshilli është veprim i domosdoshëm, sepse vetëm duke bashkëpunuar të gjithë në kuadër të një organizmi të tillë, bizneset lokale do të fuqizohen, ndërsa Komuna e Gjakovës do ta ketë një këndellje ekonomike.

Para përfaqësuesve të këtyre bizneseve, kryetari Gjini ka paraqitur idetë dhe format se si mund të funksionojë ky këshill, ndërsa ka ftuar të gjithë bizneset lokale që ta angazhohen dhe të bashkëpunojnë në mënyrë që jo vetëm Këshilli Publiko – Privat, por e tërë ekonomia lokale të funksionojë më mirë sesa deri me tani.

Duke i njoftuar përfaqësuesit e bizneseve me projektet infrastrukturore që pritet të ndodhin në Gjakovë në dy vjetët e ardhshëm, kryetari Gjini ka kërkuar të përgatiten që duke ofruar prodhimet dhe shërbimet e tyre të përfitojnë sa më shumë nga këto projekte.

Ndryshe, ky ka qenë vetëm takimi i parë, në të cilin përfaqësuesit e komunës dhe ata të bizneseve janë akorduar që në takimet e radhës të formohet bordi i Këshillit si dhe organizmat tjerë përcjellës, nën ombrellën dhe bashkëpunimin e të cilëve pritet të jenë të gjitha bizneset e Komunës së Gjakovës.