Foto: Komuna e Gjakovës

Gjini e Lluka Bisedojnë për Shpronësimet e Tokës në Aeroportin e Gjakovës

Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka pritur të mërkurën në vizitë ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Në një komunikatë të lëshuar nga komuna e Gjakovës thuhet se kryetari Gjini dhe ministri Lluka kanë biseduar për tema të ndryshme, përfshirë këtu edhe Parkun e Biznesit dhe Terminalin Doganor në Gjakovë, por theks i veçantë dhe prioritet në hapat që duhet të ndërmerren menjëherë, i është dhënë aeroportit të Gjakovës, njërit prej aseteve më të rëndësishme të kësaj komune.

Duke folur rreth kësaj teme, ministri Lluka ka bërë të ditur se është akorduar me kryetarin Gjini që qeveria e Kosovës të fillojë shumë shpejtë procedurat për aktivizimin e aeroportit, për faktin se tashmë është momenti i fundit që një gjë e tillë të ndodhë. Ai ka bërë të ditur se ministria që ai drejton, deri në fund të muajit prill, do të ndërmarrë të gjitha hapat dhe në bashkëpunim edhe me ministrinë e Financave dhe atë të Ambientit e Planifikimit Hapësinor, të fillojë procedurat për shpronësimin e rreth 45 hektarëve të tokës mbi të cilën është ndërtuar Aeroporti i Gjakovës, thuhet në komunikatë.