Njëri nga debatet për raportet e auditimit i organizuar në Gjilan, Foto: Kallxo.com

Gjilanit i kërkohet t’i adresojë dobësitë në prokurim

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) ka organizuar debat rreth zbatimit të rekomandimeve të Auditorit nga Komuna e Gjilanit.

Me këtë rast, redaktori i Gazetës “Jeta në Kosovë”, Visar Prebeza tha se BIRN ka bërë një analizë të raporteve të Auditorit për 4 vite, në mënyrë që të shihet nëse në këtë komunë ka probleme sistematike, të cilat duhet të adresohen sa më shpejt.

“Edhe komuna e Gjilanit si komunat e tjera ka marrë shumë rekomandime nga ana e auditorit por se ka çalim në zbatimin e tyre. Në bazë të analizës sonë ka dalë se janë zbatuar vetëm 10 rekomandime prej 45 sa janë dhënë në 3 vitet e fundit. Mirëpo ka shumë rekomandime që janë bërë pjesërisht, kjo shpesh është një maksimum që mundet më bë komuna”, ka deklaruar Prebreza.

Ai po ashtu ka tha se njëra prej problemeve kryesore që janë hasur në raportet e Auditorit të Përgjithshëm është çështja e prokurimit publik.

“Në këtë çështje ka shumë pa rregullsi, shumë dobësi dhe shkelje që janë evidentu ndaj auditorët, kryesisht shkeljet janë në të gjitha fazat e prokurimit. Po ashtu raporti i Auditorit ka gjetur se ka pasur goxha shumë zvarritje të punëve nga operatorët ekonomik, kjo është një sinjal për të parë nëse duhet punuar më shumë operatorët ekonomik që i kryen punët”, tha Prebeza.

Po ashtu sipas tij, në bazë të analizës së bërë problem tjetër është edhe çështja e borxheve që bizneset e qytetarët ia kanë komunës së Gjilanit.

“Njëra ndër meta më e madhe është tolerimi ndaj bizneseve nga ana e komunës, sepse kjo gjë krijon pabarazi dhe ndikon në konkurrencë jo të drejtë, por gjithashtu kjo është një sinjal që komuna duhet me punu më shumë në grumbullimin e borxheve që ja kanë palët e treta dhe mi rrit projektet që realizon,”, tha ai duke shtuar se auditori po ashtu ka gjetur se edhe komuna ka borxhe ndaj palëve të treta.

Një çështje tjetër që është ngritur vazhdimisht sipas redaktorit të “Jeta në Kosovë” është çështja e kontratave mbi vepër.

“Auditori ka gjetur se rekrutimi i punëtorëve, kryesisht mbi kontrata mbi vepër ka një numër të madh vetëm në komunën e Gjilanit,  gjithsesi në këtë pikë duke i parë, pyetja është nesë problemi është në komunë apo në ministrinë e financave, duhet të zgjerohet kjo temë më shumë, sepse rekrutimi si i tillë bëhet pa konkurrencë dhe rrjedhimisht ju jep mundësi që të punësohen njerëz që kryetari i njeh apo të tjerët”, tha Prebeza.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri u zotua se do të fillojë me rregullimin e problemeve të borxheve të kësaj komune.

“Njëra ndër rekomandimet që është përsërit është regjistrimi pasurisë së paluajtshme dhe që e kemi pas, ka të bëjë më pronat e komunës. Tek prokurimi dhe tek menaxhimi i kontratave që e dallon komunën e Gjilanit prej tjerave, sepse qe 2 vite jemi në një aktakuzë për krim të organizuar i cili ka marrë me vete edhe 32 punëtor që janë kryesisht zyra e prokurimit, urbanizmit dhe për këtë është deshtë me u mbulu më shërbime profesionale”, tha Haziri.

Ai shtoi se si kryetar i komunës ka bërë 38 suspendime për shkak të kësaj aktakuze dhe 2 të tjera.

Haziri tha se do të fillojë përmbledhjen e borxheve përmes përmbaruesve, pasi sipas tij këtë po e bënë në formë ligjore.

“Ne kemi për momentin borxhe kontingjente që lidhen me shpronësime, dhe bara më e madhe është tek ndërtimi i rrugës qarkore e cila ka filluar para luftës. Ndaj komunës janë mbi 7 milionë euro borxhe, këtë vit jemi koordinuar që të fillojmë mbledhjen e borxheve ndaj komunës dhe lirimin e torturave dhe pronës publike”, tha Haziri.

Ai shtoi se për vitet e ardhshme do të mundohen të ndërtojnë kapacitet në forcimin e zyrë së auditimit, prokurimit dhe menaxhimit të financave.

Kurse, zëvendës auditori i Përgjithshëm , Ilir Salihu, e ka përgëzuar BIRN-in që e ka marr një iniciativë të tillë, pasi sipas tij shpesh herë rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm nuk kuptohen mirë.

“Qëllimi i zyrës së Auditorit të Përgjithshëm është që të ja ofrojë informatat e besueshme komunës dhe të mbajë përgjegjësi. Takimet e tilla si ky i kontribuojnë një komunikimi ndërinstitucional, transparencës dhe sqarimit të çështjeve nganjëherë mund të mos jenë të kuptueshme . Kisha me përgëzuar BIRN-in për këtë iniciativë të tillë. Ne jemi të gatshëm të japim sqarimet e duhura për përfundimin e atyre rekomandimeve”, tha Salihu.

Këshilltari i kësaj komunë nga PDK, Riza Abdyli tha se Haziri ka mundur të bëjë transfere të punëtorëve në mënyrë që të mos mbetet e thatë zyra e Prokurorimit.

Ai po ashtu shtoi se kontratat mbi vepër janë shqetësues në këtë komunë, pasi sipas tij në sektorin e shëndetësisë po përdoren më së shumti dhe sjellin nepotizëm.

Kurse Nevzad Isufi këshilltar nga Lëvizja Vetëvendosje tha se që tashmë dy vite asnjëherë nuk iu është marrë tenderi asnjë kompanie për shkak të mos mbushjeve të kritereve.

Debati rreth zbatimit të rekomandimeve të Auditorit nëpër komuna të Kosovës i organizuar nga BIRN, është projekt i mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.