Gjilani shenjëzon varrezat sipas religjionit
Komuna e Gjilanit sot ka bërë shenjëzimin e varrezave të qytetit sipas përkatësisë së besimeve fetare.
Kryetari i komunës, Lutfi Haziri njoftoi se përpos shenjëzimit të varrezave të vjetra, po punojnë paralelisht në hapjen dhe ndërtimin e varrezave të reja të qytetit.
Përkatësisht tek pishat e lagjes së Zabelit, sikurse edhe rikonstruimin dhe sanimin e dëmeve në varrezat e vjetra.
“Jemi në fazën e shënjëzimeve finale për varrezat e vjetra të qytetit. Shenjëzimi deri në konzervim është projekt që do të fillojë tash dhe do të vazhdojë në dy vitet e ardhsme. Kjo nënkupton që ne do t’i sanojmë dhe organizojmë drejt një mbyllje të përhershme të varrezave të vjetra të qytetit dhe natyrisht ne kemi krijuar ambient ashtu siç e jetojnë të gjallët ku koekzistojnë fetë dhe etnitë e ndryshme në Gjilan, gjithashtu edhe varrezat nuk i kemi të ndara”, tha Haziri.
Ai tha se do të kujdesen për këto varreza.
“Praktikisht, kjo hapësirë është e parcializuar që dihen saktë cila pjesë është për varreza të shumicës myslimane apo katolike, pakicave ortodokse dhe protestante si edhe të varrezave të vjetra të hebrejve, të cilat, ne do t’i konzervojmë dhe do të kujdesemi për to si institucion komunal”, shtoi Haziri.