Gjilani rrënon objektin i cili po ndërtohej në pronën komunale
Drejtoria për Inspekcion në Komunën e Gjilanit ka rrënuar sot një objekt, i cili është ndërtuar në pronën komunale në lagjen “Arbëria”.
Nevzad Rushiti, drejtor i Drejtorisë për Inspekcion ka thënë se uzurpimi i pronës komunale dhe ndërtimi pa leje është një vepër e rëndë dhe se çdo shkelës i këtyre rregullave, përpos rrënimit mund të përballet edhe me organet e drejtësisë.
“Sot jemi në lagjen “Arbëria”, ku kemi bërë rrënimin e objektit i cili po ndërtohej në prone publike. Në këtë hapësirë do të bëhet ndërtimi i stadiumit ndihmës të futbollit. Mirëpo, krahas këtij veprimi të ndërmarrë ndaj këtij objekti, inspektorët janë vazhdimisht në terren dhe po zbatojnë detyrën zyrtare konform ligjit, duke bërë procesverbale, ndërprerje të punimeve e deri te rrënimet sikur rasti i sotëm”, ka thënë Rushiti.
Rushiti ka bërë apel tek të gjithë qytetarët që të jenë vigjilent, sepse blerja e pronës komunale nga kushdo qoftë, apo edhe investimi në ndërtim janë vepra penale dhe përpos humbjeve të tyre materiale, çdo shkelës do të përballet me organet e drejtësisë, sepse prona komunale është e patjetërsueshme dhe nuk lejohet ndërhyrja e paautorizuar në të.
Komuna e Gjilanit ka paralajmëruar se do të vazhdojë në këtë formë me të gjitha ndërtimet-uzurpimet e pronës komunale.