Komuna e Gjilaanit | Foto: Atdhe MUlla

Gjilani Reagon Ndaj Anulimit të Testit

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka reaguar për vendimin e MAShT-it  përmes një postimi në Facebook duke theksuar se nuk ka pasur vërejtje gjatë testimit.

“Vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për anulim të Testit të Arritshmërisë për semimaturantët në Gjilan, është i paargumentuar. Ju bëj me dije se në asnjë proces të nënshkruar nga ana e vëzhguesve, administruesve dhe komisionerëve, nuk është gjetur asnjë vërejtje rreth testimit,” thuhet në reagimin e Hazirit.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazmi Musa i cili ka vlerësuar vendimin si tendencioz dhe brengosës.

“Pas takimit me drejtorët e shkollave të mbajtur sot, po sjell shqetësimin e DKA-së dhe të drejtorëve të shkollave lidhur me vendimin e nxjerrë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ky vendim është tendencioz, i paargumentuar, me arsyetime të vogla dhe është vendim i nxjerrë pas publikimit të rezultateve.

Musa në reagim pretendon se dikë po e shqetësojnë sukseset e nxënësve gjilanas.

“Kjo na brengos të gjithëve, sepse gjithnjë po angazhohemi në ngritje të cilësisë. Viti 2016 është shpallur vit i cilësisë në Kosovë nga vetë ministri, prandaj nuk duhet që dikë ta ‘trishtojnë’, rezultatet e nxënësve të Komunës së Gjilanit,” tha Musa.

Sipas Drejtorisë komunale, niveli i arritshmërisë së nxënësve të  kësaj komune sivjet ka qenë 78.53 për qind.

MAShT-i ka urdhëruar drejtoritë komunale të Arsimit të Gjilanit, Dragashit dhe Hanit të Elezit që ta përsëritin vlerësimin e jashtëm – Testin e Arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta.

Kjo ministri rezultatet e testit në këto tri komuna i vlerëson joreale dhe jo të besueshme, sipas saj për shkak administrimit jo të mirë të këtij procesi.

Testi u mbajt më 21 maj dhe pritet të përsëritet për komunat e lartcekura më datën 8 qershor.

http://kallxo.com/anulohen-testet-e-arritshmerise-ne-tri-komuna/