Gjilani merr mbështetje nga dy ministri për projketet kapitale

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kanë konfirmuar mbështetjen për projektet e mëdha për Gjilanin që janë duke u zhvilluar në këtë vit dhe në vitin 2019.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka falënderuar ministrat Matoshi e Lluka për vizitën dhe zotimin e përkrahjes për Gjilanin, njofton kumtesa.

“Programet më të mëdha që i kemi në Gjilan janë përfundimi i shtratit të lumit “Mirusha”, sanimi i kapërdershëses në Përlepnicë, efiçienca e energjisë në tri shkolla, ndërkaq me Ministrinë e Mjedisit ne po planifikojmë edhe për ndërtimin e tri parqeve, pastaj rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve”, ka thënë Haziri.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se përveç tjerash, kanë diskutuar në takim edhe lidhur me ndërrimin e gypave të asbestit.

“Përveç projekteve që janë inkorporuar në buxhet për vitin 2019, ne jemi këtu për të intensifikuar bashkëpunimin për tërë rajonin e Gjilanit. Ka shumë projekte që ujërat kanë marrë fokus të veçantë dhe jemi të interesuar ta menaxhojmë më mirë këtë fushë. Jemi të interesuar që ta përmirësojmë aspektin e humbjes së ujit qoftë nga kyçjet ilegale, qoftë matjet e gabuara apo vjetërsisë së sistemit”, tha Lluka.

Po ashtu në njoftim thuhet, se ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, ka përgëzuar Komunën e Gjilanit për avancimin e projektit të fillimit të ndërtimit të impiantit për ujërat e zeza.

“Problemet që kryetari Haziri përballet çdo ditë e kanë vëmendjen edhe të Ministrisë së Mjedisit dhe së bashku do t’i japim zgjidhje përmes projekteve konkrete që ndikojnë direkt në jetën dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve në Gjilan. Një pjesë të tyre do t’i shohin tani dhe shumë më shumë do t’i shohin në vitin 2019. Më e rëndësishmja dhe më kryesorja është që Komuna e Gjilanit dhe “Hidromorava” kanë punuar fuqishëm në aspektin e avancimit të ndërtimit të impiantit për ujërat e zeza. Shpresojmë që sa më shpejtë të nënshkruhet kontrata me BERZH-in”, ka deklaruar Matoshi.

Pas takimit, kryetari Haziri së bashku me ministrat Matoshi e Lluka, kanë vizituar punimet në ndërtimin e shtratit të lumit “Mirusha” dhe kapërderdhësen në pendën e Përlepnicës. ​