Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilani me 119 punëtorë me kontrata mbi vepër

119 persona janë angazhuar në mënyrë të përkohshme në Komunën e Gjilanit vetëm gjatë vitit të kaluar.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se brenda këtij numri 42 janë angazhuar në administratë si zyrtarë të prokurimit, inxhinier në sektorin e lejeve të ndërtimin, dhe personel sigurimi, 12 në Teatrin e Qytetit si artistë, 43 në arsim si zyrtar administrativ, rojtarë shkollash apo pastrues, dhe 22 në shëndetësi si mjek të profileve të ndryshme apo infermierë.

Në 31 të angazhuarit në administratë, 39 të angazhuarit në arsim dhe 12 të angazhuarit në teatër, Komuna e Gjilanit i ka mbajtur më shumë se 6 muaj brenda një viti duke tejkaluar kufizimin ligjor prej 6 muaj.

Gazeta Jeta në Kosovë vitin e kaluar kishte raportuar për vazhdime të kontratave mbi vepër për persona të njëjtë pa konkurs.

Në raportin e auditimit thuhet se për të angazhuarit në administratë angazhimi i personave ka ndodhur pasi që Komuna ka mbi 40 punëtorë të suspenduar për shkak se hetimeve penale nga ana e Prokurorisë, ndërsa për stafin tjetër Komuna nuk ka buxhet të aprovuar për personel shtesë.

Sipas Ligjit të shërbimit civil – Emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se 6 muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

Auditori ka thënë se mbulimi i pozitave të rëndësishme me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rrit pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat.

“Kryetari me menaxhmentin e komunës duhet t’i rishikojë nevojat reale për angazhim të punëtorëve me kontrata për shërbime të veçanta, pasi që rastet e vërejtura nuk kanë të bëjnë me shërbime të veçanta apo kalimtare por janë pozita të përhershme. Nevoja për staf shtesë për pozitat e karrierës duhet të analizohet dhe nëse rritja e numrit të stafit është e domosdoshme, kjo të inkorporohet edhe në planifikimet buxhetore”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.