Gjilani Manifeston një Javë pas Gjakovës
Sipas një njoftimi të “Vetëvendosjes” para teatrit të këtij qyteti në orën 13:00, qytetarëve do t’u drejtohen tre liderët e subjekteve opozitare: Visar Ymeri, Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj.
“Të shtunën më 12 dhjetor në ora 13:00, pranë Teatrit të Qytetit në Gjilan do të manifestojmë për Republikën,” thuhet në njoftimin e “Vetëvendosjes” në Facebook.
Aty bëhet thirrje për pjesëmarrje masive.
“Në këtë manifestim do të shprehet masivisht, vullneti i qytetarëve të Anamoravës për një shtet sovran e funksional. Për një shoqëri të barabartë dhe jo të ndarë në baza etnike,” vijon njoftimi.
Opozita po kërkon tërheqjen e nënshkrimit të Qeverisë së Kosovës nga marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit për asociacionin e demarkacionin të nënshkruara në Bruksel e Vjenë.