Prapa grilave - Ilustrim

Gjilanasit të dyshuar për dhunë sistematike ndaj gruas i caktohet 1 muaj paraburgim

B.B., i dyshuar për dhunë sistematike ndaj bashkëshortes së tij do të qëndrojë 30 ditë prapa grilave, pasi Gjykata e Gjilanit e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

“I pandehuri dyshohet se nga data 14.12.2018 deri më datë 19.12.2018, ka ushtruar dhunë sistematike ndaj bashkëshortes së tij, duke përdorur edhe mjete të ndryshme, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, kjo konstatohet edhe në raportin e lëshuar nga emergjenca e Spitalit Regjional të Gjilanit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

“Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor neni 188 paragrafi 3 nën paragrafi 3.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që i njëjti po të gjendet në liri, mund të përsërisë veprën”, thuhet në njoftim.