Gjilan, shtrenjtohen produktet e miellit

Çmimi i bukës në Gjilan është rritur në 40 cent, po ashtu përveç bukës rritje ka edhe në produkte të tjera të miellit, si në burek, çaija dhe në kroasanë.

Këtë e konfirmuan për KALLXO.com, pronarët dhe menaxherët e furrave në qytetin e Gjilanit.

Kështu një burek që deri javen e kaluar ishte 70 cent, tash ka pësuar rritje për 20 cent më shumë, pra është bërë 90 cent.

Po ashtu edhe çaija, nga 25 cent sa ishte në të kaluarën tani është bërëë 30 cent, si dhe kiflet me krem të çokollatës janë bërë 30 cent nga 25 sa ishin më pare.

Kështu  Qerim Çoçaj, pronari i furrës “Vëllezrit Çoçaj”, konfirmoi se rezervat e miellit që i kanë pasur tashmë janë hargjuar dhe se tani meqenëse është rritur edhe çmimi i miellit janë të detyruar të rrisim edhe çmimin e bukës dhe produkteve tjera, si p.sh të burekut, ku nga 70 cent është rritur në 90 cent.

KALLXO.com tentoi që të marrë edhe fotografi nga çmimorja e furrës por kjo nuk u lejua nga pronari në fjalë.

Ngjashëm,  Mentrit Duraj, pronari i furrës ” Aurora” konfirmoi se çmimi i bukës nga 30 cent është rritur në 40 cent për faktin se është shtrenjtuar çmimi i miellit.

Se për shkak të rritjes së çmimit të miellit është rritur edhe çmimi i bukës këtë e tha edhe menaxheri i furrës ” Mala”, Fatlum Kryeziu, i cili pranoi se ka ndodhur rritja e çmimit të bukës në 40 cent prej 30 centëve sa ishte më parë, kurse për produktet tjera përveq burekut, ai deklaroi se në furrën e tij nuk ka ngritje të çmimit.

Edhe në furrën “Pashtriku”, menaxheri i saj Arsim Çoçaj, konfirmoi se kanë rritur çmimin e bukës ngase është rritur çmimi i miellit.

Ai më tutje pranoi që të matet edhe pesha e bukës e cila është rritur në 40 cent, duke lejuar ekipin KALLXO.com që të fotografoj peshën e saj, e nga matjet  e bëra rezulton se nuk është zvogëluar pesha e bukës.

Sipas furrtarëve, deri kjo rritje e çmimit ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit të miellit ku ka ndikuar taksa që Qeveria ia ka bërë 100% produkteve  nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.