Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Gjilan, paraburgim për të dyshuarin për sulm ndaj ish-kryetarit të veteranëve të UÇK-së

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve të pandehurit N.H. i cili dyshohet se ka sulmuar Ahmet Dakun, inspektorin e Komunës së Gjilanit.

I pandehuri dyshohet se me datë 27.11.2018, ka hyrë në zyrën e Ahmet Daku, inspektor i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, duke kërkuar sqarime për refuzimin e kërkesës për statusin e veteranit të UÇK-së. Dhe pas disa ofendimeve, i pandehuri e kishte sulmuar me grushte të dëmtuarin Ahmet Daku, me ç’rast ai është dashur të marrë trajtim mjekësor.

Ahmet Daku ka qenë për një mandat kryetar i OVL të UÇK-së në Gjilan.

“Me këto veprime i pandehuri N. H. ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase po që se i njëjti gjendet në liri, mund të ndikojë tek dëshmitarët”, tha Gjykata.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit.