Gjilan, cakohet paraburgimi për të dyshuarin për detyrim aborti

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej  30 ditë paraburgim të pandehurit SH. H,  nga komuna e Gjilanit, i cili dyshohet se e kishte detyruar bashkëjetuesen e tij të abortoj fëmijën e tyre pesë muajsh.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se i pandehuri dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar presion dhe dhunë psikologjike tek bashkëjetuesja A. R, në mënyrë që të marr vendimin për abortimin e fëmijës.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët.

KALLXO.com ka siguruar dje kërkesën për masën e paraburgimit të cilët e ka ushtruar Prokuroria Themelore në Gjilan.

Në kërkesë thuhet se që nga muaji shtator i vitit të kaluar e deri në janar të këtij viti, burri ka kërkuar nga gruaja me të cilën bashkëjetonte  të abortoj fëmijën pesë muajsh.

Sipas këtij dokumenti, e  njëjta nuk i është bindur bashkëshortit të saj për të kryer abortin e fëmijës së tyre dhe ky i fundit ka filluar të ushtroj dhunë ndaj saj.

Sipas kërkesës, me 28 dhjetor, burri e ka goditur fizikisht në fytyrë dhe me shqelma në barkë, me ç ‘rast, si pasojë e presionit, gruaja në janar të këtij viti, është detyruar të veproj në kundërshtim me vullnetin e saj, shkon në Shkup së bashku me bashkëshortin e saj për të kryer abortin e fëmijës pesë muajsh.

https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-per-skandalin-e-abortit-ne-gjilan-gruaja-shtatzene-ishte-shkelmuar-ne-bark/