Prenk Gjetaj - Foto: KALLXO.com

Gjetaj: Serbia Ka Dosje për Vendndodhjen e të Zhdukurve

Kryetari i këtij Komisioni, Prenk Gjetaj, në një konferencë për media sot tha se çështja e personave të zhdukur nuk duhet mbetur peng i politikës.

“Çështja e personave të zhdukur nuk duhet të mbetët peng i çështjeve politike sepse kemi çështje tjera të cilat mund të evoluojnë sipas nevojave politike, por çështja e personave të zhdukur s’bën të politizohet”, tha Gjetaj

Sipas tij në Serbi ka dokumentacione e arkiva që mund të hapin rrugën drejt gjetjes së lokacionit të të zhdukurve.

“Për çështjen e të zhdukurve ne duhet të bisedojmë vetëm me Serbinë, s’kemi me kë tjetër të bisedojmë sepse ata kanë bërë krime gjatë kohës së luftës. E dyshimet janë që ata kanë arkiva, kanë dokumentacion, kanë dosje, janë njerëzit të cilët kanë informacione dhe dinë se ku është vendndodhja e gjithë atyre të cilët na mungojnë”, tha ai.

Gjetaj gjithashtu ka përmendur edhe rastin e dyshimeve për varrezë masive të Xhamia e Ibrit, për të cilën është diskutuar qe 17 vite, mirëpo veç tash vonë u hulumtua ky rast dhe nuk është gjetur asgjë.

“Nganjëherë kemi informata që po na krijojnë huti, sikur që ishte rasti te Xhamia e Ibrit. Prej pasluftës është folur dhe është neglizhuar kjo punë. Dikush ka pasë faj aty sepse është krijuar mundësia e spekulimit. Informata  kanë qenë që është vend i dyshuar, i supozuar si varrezë masive dhe kjo të mbetet 17 vite pa u procedu, pa u gërmu e me kriju mundësi spekulimi nuk është dashtë”, tha Gjetaj.

http://kallxo.com/germohet-ne-veri-nuk-ka-varreze-masive/

Ai kërkoi nga çdokush që ka informacione për ndonjë varrezë të lajmërojë në Komision në mënyrë që këto çështje të procedohen dhe të punohet në gjetjen e lokacioneve.

Komisioni qeveritar për të Zhdukurit ka miratuar raportin e punës të vitit të kaluar ndërsa shpalosi edhe 3 pikat kryesore gjatë vitit në vijim.

“Rritja e bashkëpunimit në mes të akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë si dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal, përkrahja e familjeve të personave të zhdukur dhe përkrahja e shoqatave familjare si dhe objektivi i tretë do të jetë sigurimi i informatave të reja dhe procedimi i lokacioneve apo rasteve të hapura”, tha Gjetaj gjatë konferencës për media.

http://kallxo.com/gjetaj-ska-raport-per-te-zhdukurit-pa-pjesemarrjen-e-kosoves/