Nga nënshkrimi i marrëveshjes mes ministrit Bedri Hamza dhe ambasadorit gjerman, Christian Heldt. Foto: Kallxo.com

Gjermania i jep Kosovës 6.5 milionë euro për vende të reja pune në agrobiznes

Ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e vendeve të reja të punës në vlerë prej 6.5 milionë euro.

Ministri Hamza ka falënderuar qeverinë e Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme që po i bën popullit të Kosovës.

“Unë si ministër i Financave e nënshkruaj marrëveshjen e tetë me qeverinë e Republikës së Gjermanisë, marrëveshje e cila është në vazhdën e marrëveshjeve të deritanishme. Është grant, janë kontribut financiar pa kthim që unë i quaj ‘para falë’”, tha ministri Hamza.

“Gjermania është njëri prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë që deri më tani ka kontribuar me taksat e tyre në zhvillimin ekonomik të Kosovës mbi 500 milionë euro e ne institucionet e Kosovës jemi shumë mirënjohës”, shtoi ai.

“Nga fillimi i mandatit tim si ministër tani me këtë marrëveshje e kalojmë shumën prej 100 milion euro që janë para grant, dhe 50 për qind e këtyre mjeteve mbi 50 milionë euro janë përkrahje nga qeveria gjermane”, ka thënë Hamza.

Gjithashtu ministri Hamza ka treguar se cilat janë target grupet e këtij granti që kapin vlerën prej 6.5 milionë euro si dhe fushën se ku do të investohen këto të holla.

“Ne jemi përcaktuar për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe këtë e siguron vetëm sektori privat. Këto 6.5 milionë euro janë të dedikuara për fondin për garantimin e kredive, qëllimi është të fokusohen grupet sidomos të rinjtë, gjinia femërore që kane plane të qëndrueshme të biznesit, specifikisht këto mjete janë të dedikuara për ndërmarrje nga e agrobiznesit” është shprehur Hamza.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka thënë se ky grant e afron Kosovën më afër integrimeve euroatlantike.

“Ky grant është baza e veprimtarive që na mundëson që Kosovën ta afrojmë më afër integrimeve euroatlantike. Qeveria gjermane dhe institucionet e saj kanë mbështetur Kosovën që nga vitet ’99, fillimisht ka qenë për masa emergjente, stabilizimi dhe rindërtimi që ka qenë pjesë e ndihmës në fillim” ka thënë Heldt.

Po ashtu Held ka thënë se ky grant ka lehtësuar punën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si shtyllë e zhvillimit ekonomik në Kosovë,

Ky fond ka lehtësuar qasjen në financa për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që janë shtylla e zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe këto ndërmarrje janë shtylla të zhvillimit ekonomik edhe në Gjermani”, ka thënë Heldt.