Gjenerali i KFOR-it Përshëndetet me Krerët e Shtetit

Krerët më të lartë të shtetit sot kanë pritur në takim lamtumirës gjeneralin Giovanni Fungo, komandanti i XXI i KFOR-it në Kosovë, i cili është në fund të misionit të tij në krye të forcës paqeruajtëse të NATO-s.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë këtij takimi ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e gjeneralit Fungo dhe të KFOR-it për ruajtjen dhe sigurinë e paqes në Kosovë dhe rajon.

“Falë përkushtimit që KFOR-i ka treguar, sot gëzon besimin më të madh te qytetarët e Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi gjatë këtij takimi tha se bashkë me KFOR-in dhe miqtë strategjik është forcuar shumëtniciteti, bashkëjetesa dhe toleranca etnike e ndërfetare në Kosovë.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë takimit me gjeneralin Fungo falënderoi atë për kontributin e dhënë në misionin e KFOR-it edhe gjatë viteve 1999.

“Falë kësaj prezence të NATO-s, Kosova ka arritur të ndërtohet dhe konsolidohet si një vend i sigurt, stabil dhe i pacenueshëm, duke u kthyer madje në një prodhues të stabilitetit rajonal”, pohoi Veseli.

Gjenerali Giovanni Fungo, në takimin lamtumirës  tha se  gjatë këtij viti është krijuar një ambient edhe më i qetë për të gjithë në Kosovë.

Po ashtu ai falënderoi institucionet e Kosovës për një bashkëpunim me misionin e KFOR-it për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mirëkuptues për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.