Lumi Ibër. Foto: Kallxo.com

Gjendet i vdekur një person në afërsi të lumit Ibër në Mitrovicë

Një burrë është gjetur i vdekur në afërsi të lumit Ibër në pjesën veriore të Mitrovicës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Mitrovicën Veriore, Besim Hoti, i cili ka treguar se trupi është gjetur në orët e pasdites.

“Trupi i një personi të gjinisë mashkullore është gjetur në afërsi të lumit Ibër. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, mjekët dhe forenzika, po presim edhe Mjekësinë Ligjore për të marrë trupin e viktimës. Mjekët e kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, ka thënë Hoti për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se identiteti i viktimës nuk dihet ende.

“Rasti është regjistruar si vdekje e dyshimtë, derisa të konstatohet natyra e vdekjes së viktimës. Nuk vërehen shenja të dhunës në trupin e viktimës por deri të konstatohet natyra vdekjes, rasti është regjistruar si vdekje e dyshimtë”, ka shtuar Hoti.