Gjembat e ‘Newborn’, Izolim për Qytetarët

Qytetarë nga Prishtina dhe jashtë saj kanë dalë që nga mëngjesi te monumenti simbol i shpalljes së pavarësisë, Newborn, për ta parë formën e re që ka marrë ky monument në ditën kur shteti i Kosovës mbush tetë vjet jetë.

Ismail Gagica banor i Prishtinës tha se Newborn po tregon se qytetarët ndihen të izoluar dhe jo të lirë.

“Newborni duket me ngjyra të bukura, po jep një pamje të qiellit të uzurpuar, të kidnapuar, i izoluar dhe jo i lirë për neve si qytetarë. Duket që ideja është e qëlluar dhe realizimi është i mirë”, tha Gagica.

Isak Kreka kosovari nga Juniku që jeton në Elbasan që 50 vite e që ka ardhur për të festuar 8 vjetorin e Pavarësisë tha se gjembat shprehin dhembje.

“Të them të drejtën kur e kam parë në fillim ngjyrat kanë qenë më të bukura, më të ndezura, më shpresëdhënëse pastaj më duket që ka qenë veshur ne një moment ushtarake me veshje të NATO-s dhe sot është veshur me gjemba. Në qoftë se ky perceptim është për të gjithë qytetarët e Kosovës apo për të gjithë shqiptarët është dhimbje, por unë uroj që ne shqiptaret të mos e lejojmë veten të jemi me gjemba”, tha Kreka.

Sipas tij e ardhmja e shqiptarëve është e mirë, gota është duke u mbushur, shqiptarët do të realizojnë dëshirën e tyre “kam bindjen absolute që do të vijë deri te bashkimi shqiptar dhe këto gjemba do ti heqim”, tha ai.

newborn1

Mehmet Maxhuni gjithashtu banor i Prishtinës tha që ky monument duhet të ruhet me fanatizëm pasi që është një monument historik

“Më pëlqen shumë që çdo festë ndërron pamja dhe këtë herë e ka marrë pamjen jashtë zakonisht të mrekullueshme. Këto gjemba është dashur që të paraqesin një mbrojtje po ne s’kemi nga kush ta mbrojmë sepse ky është i mbrojtur nga populli dhe nga dëshira e popullit për pavarësi dhe liri ”, tha ai.

Ideatori i pamjes së Newbornit Fisnik Ismaili kishte thënë për KALLXO.com ka thënë se pamja e këtij monumenti paraqet situatën në të cilën gjendet Kosova, njëjtë mendojnë edhe qytetarët.

Ismaili i cili tani është deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja vetëvendosje pati thënë se pamja do të shpreh një mesazh.

“Ngjyrosja ka me ndodh dhe ka me shpreh apo ka me përku si çdo vit me situatën nëpër të cilën Kosova po kalon”, tha Ismaili për KALLXO.com.

newborn2