Gjashtë Dëshmitarë në Gjykimin e Gjashtë Zyrtarëve

Sedat Jemini, përgjegjës i Njësisë Komunale për Pylltari në Suharekë, zyrtarët e saj Hamza Kolgeci, Hasan Buzhala, Agim Gashi dhe Bashkim Gashi si dhe roja e pyllit Agim Shala ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Të gjashtët akuzohen se më 4 korrik 2015 mes orës 5 dhe 8 në fshatin Dolloc të Suharekës shkelën me dashje ligjin, pasi u larguan nga vendi “Ara e Ramës” duke ua mundësuar Xhemajli Destanit e Rizah Hajdarit largimin bashkë me traktorët e tyre të mbushur me dru të prerë në mënyrë ilegale, edhe pse policia i kishte identifikuar këta traktorë një ditë më herët.

Gjatë seancës dëshmuan drejtori i Bujqësisë në Komunën e Suharekës Xhemajl Kabashi, polici Shasivar Bytyqi, Xhemajli Destani e Rizah Hajdari të dyshuarit për prerjen e drunjve dhe Miftar Hajdari e Ylber Destani.

Në dëshminë e tij drejtori i Bujqësisë së Suharekës Xhemajl Kabashi tregoi se ishte njoftuar nga policia se në fshatin Dolloc ishin duke u prerë drunj, ndërsa kishte kërkuar nga i akuzuari Jemini t’i ndihmojë policisë.

“Pasi më kanë njoftuar policia, unë  e kam thirrur përgjegjësin e pylltarisë Sedat Jemini që të shkojë në asistim dhe sigurimin e drurëve të prerë deri në bartjen e tyre në depo dhe i njëjti me dy rojtarë tjerë të pyllit kanë shkuar në fshatin Dolloc, ku ishin konfiskuar një sasi e drunjve,” tha dëshmitari.

Polici Shasivar Bytyqi tha se ditën kur ka ndodhur prerja ilegale e pyllit, pasi policia ka marrë informacion për të ka hasur dy traktorë me dru kur ka shkuar për të siguruar rojat e pyllit gjatë kryerjes së detyrës.

Por katër dëshmitarët tjerë Xhemajli Destani, Rizah Hajdari, Miftar Hajdari e Ylber Destani mohuan se i kanë parë ndonjërin nga të akuzuarit ditën kur prokuroria pretendon se u pre pylli.

Këta dëshmitarë deklaruan se fotografitë e traktorëve që ndodhen në dosjen e prokurorisë janë bërë dy javë pas prerjes së drunjve për të cilën po zhvillohet procesi gjyqësor.

Avokatja Nadire Hoxha që mbron Sedat Jeminin tha se dëshmitarët vërtetuan se të akuzuarit nuk ishin në pyll më 4 korrik.

“Provat të cilat i kanë pranuar nga ana e prokurorisë të cilat gjenden në shkresat e lëndës, fotografitë e traktorëve të cilat kanë qenë në vendin e ngjarjes ditën kritike, ata u deklaruan se nuk është e vërtet se këta traktorë janë të tyre, që fotografit janë bërë në vendin e ngjarjes,” tha Hoxha.