Foto: Ilustrim

Gjakovë, Prokuroria tregon si u krye grabitja me forcë në prani të anëtarëve të familjes

Prokuroria e Gjakovës ka kërkuar masën e caktimit të paraburgimit kundër të pandehurit D.N. nga Fushë Kosova, për shkak se i njëjti dyshohet të ketë kryer grabitjen në tentativë.

Sipas njoftimit nga ana e Prokurorisë, i pandehuri më 11 maj 2019, me armë zjarri dhe maskë të kamufluar kishte hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit J.I. në komunën e Rahovecit.

“Duke përdorur forcën dhe kanosjen, përderisa ishin prezentë të gjithë familjarët, përfshirë gra e fëmijë të vegjël, i njëjti ka kërkuar para dhe me mjet të fortë e ka goditur të dëmtuarin J.I. duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.

Andaj, për këtë rast prokurori i rastit ndaj të pandehurit, në gjykatën e Gjakovës ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.