Gjykimi për falsifikim të parave - FOTO KALLXO - 28.02.2019

Gjakovë - I akuzuari pranon se kishte paguar me para të falsifikuara

Eduard Gojani, i akuzuar për prodhim ose falsifikim të monedhës prej 100 euro, e ka pranuar fajësinë para Gjykatës Themelore të Gjakovës.

Prokurori Ali Uka, sot para gjykatës deklaroi se është e nevojshme të bëhet rikualifikimi i veprës penale, meqenëse gjatë hetimeve nuk është vërtetuar që i njëjti ka prodhuar monedhën prej 100 euro, por të njëjtën e ka përdorur duke e ditur që është e falsifikuar.

Prokuroria e rikualifikoi veprën penale ndaj të akuzuarit Eduard Gojani nga prodhimi i parave të falsifikuara në qarkullimin ose përdorimin e saj.

Ndërsa i akuzuari Gojani e pranoi fajësinë për akuzën që i vihet në barrë.

“Unë e pranoj fajësinë, e po ashtu edhe të dëmtuarit Veprim Thaqi të nesërmen menjëherë ia kam kthyer paratë”, tha i akuzuari Eduard Gojani.

Ndërsa i dëmtuari Veprim Thaqi, nuk ishte prezent në gjykimin e sotëm që e drejtonte gjyqtari Nikollë Komani.

Prokurori Ali Uka, i propozoi Gjykatës që të bëhet edhe konfiskimi i monedhës si dhe si rrethanë lehtësuese të merr për bazë pranimin e sinqertë të fajësisë nga ana e të akuzuarit Gojani.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Gojani, avokati Prenk Pepaj i propozoi Gjykatës që të dëmtuarit t`i shqiptohet një dënim me gjobë me arsyetimin se i njëjti është i ri dhe është hera e parë që del para gjykatës.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Eduard Gojani do të bëhet nesër.

Sipas aktakuzës, Eduard Gojani duke e ditur që paraja prej 100 euro është e falsifikuar, në restorantin ‘Verona’ në Xërxë të Rahovecit, ia bënë pagesën Veprim Thaqit me të njëjtën monedhë.