Gjakovë, i akuzuari për vjedhje e pranon fajin para gjykatës

Sylejmon Meqa, i akuzuar për vjedhje në dy shtëpia në Gjakovë e ka pranuar veprën pra gjykatës.

“Unë e pranoj fajin dhe jam penduar për veprat që i kam kryer për shkak të gjendjes së dobët ekonomike. Po ashtu kërkoj falje nga të dëmtuarit”, tha i akuzuari Meqa.

Meqa akuzohet nga Prokuroria se ka vjedhur në dy shtëpi të ndryshme, një kuti me bizhuteri dhe një gur të çmuar si dhe të holla në vlerë prej 40 euro.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dëshire Jusaj, i pandehuri Sylejmon Meqa e pranoi fajësinë për veprën që i ngarkohet dhe gjykatësja Ilirjana Hoti bëri bashkimin e dy procedurave penale të vjedhjes ndaj tij, duke caktuar ditën e shpalljes së aktgjykimit për të enjten me datë 22 nëntor 2018.

Ndërsa të dëmtuarit Naid Bytyqi dhe Hidajete Rogova, nuk ishin prezent në seancën gjyqësore.

Sipas aktakuzës së parë, i pandehuri Sylejmon Meqa në janar të këtij viti, kishte hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Naid Bytyqi dhe nga një sirtar kishte marrë një kuti me bizhuteri dhe një gur të çmuar  të gjitha këto në vlerë prej 200 euro.

Ndërkaq sa i përket aktakuzës së dytë, i pandehuri Meqa në shkurt të këtij viti kishte hyrë në shtëpinë e të dëmtuarës Hidajete Rogova dhe i kishte marrë një çantë krahu bashkë me 40 euro brenda.