Gjykimi për therje me thikë - Gjakovë - 27.02.2019 - FOTO KALLXO

Gjakovë - I akuzuari për therje me thikë e quan gjykatësin amator

Gjykata refuzon hedhjen e aktakuzës për therjen me thikë në Stacionin e Autobusëve në Gjakovë ndaj të akuzuarit Ehat Berisha.

Ehat Berisha po akuzohet nga prokuroria se ka sulmuar të dëmtuarin Hysni Curri në vendin e tij të punës.

Në gjykimin e sotëm mbrojtësi i të akuzuarit Ehat Berisha avokati Besnik Haxhijanuzi, tha se e kundërshton aktakuzën e Prokurorisë, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme.

Ndërsa prokurori Ramiz Buzhala, i propozoi Gjykatës që kërkesën për hedhjen e aktakuzës ta refuzoj si të pabazuar.

“Aktakuza ka prova të mjaftueshme dhe të mbështetshme, andaj kërkoj nga gjykata që të caktoj shqyrtimin gjyqësor”, tha prokurori Buzhala.

Avokati Besnik Haxhijanuzi kërkoj nga Gjykata edhe kërkesë për ekzaminim psikiatrik, mirëpo këto kërkesa të mbrojtjes gjyqtari i rastit Nikollë Komani nuk i aprovoj, me arsyetimin se nuk ka dokumentacion mjekësor.

Sipas aktakuzës i akuzuari Ehat Berisha, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Hysni Curri, derisa ai ka qenë duke punuar si roje në Stacionin e Autobusëve në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Hysni Curri në cilësinë e rojës së stacionit i kishte thënë Ehat Berishës që të largohet, ndërsa i akuzuari Berisha kishte nxjerrë thikën me gjatësi 12.5 cm dhe i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Pasi mbaroi seanca gjyqësore, para se palët të nënshkruajnë procesverbalin, i akuzuari i tha gjyqtarit: “Që ti duhet t`i kesh 50 e sa vjet e jo me ardh këtu amator, e kur kam qenë unë në ish-Jugosllavi ti s`ke qenë këtej pari”.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë rast.

 

https://kallxo.com/aktakuze-per-therjen-me-thike-ne-stacionin-e-autobuseve-ne-gjakove/

 

.