Seanca ndaj te akuzuarit per sulm Naser Gjyliqi - Gjakove - 09.11.2018

Gjakovë, Gjyliqi e pranon se sulmoi ngacmuesin e gruas

Naser Gjyliqi, i akuzuar për dy vepra penale, atë të sulmit dhe të detyrimit në tentativë, e ka pranuar para gjykatës se e ka sulmuar me shuplaka ngacmuesin e gruas së tij.

Gjyliqi, nga Prokuroria e Gjakovës po akuzohet se ka kryer veprën penale të sulmit dhe të detyrimit në tentativë, të ndodhur në tetor të vitit të kaluar.

Prokuroria pretendon se Naser Gjyliqi ka përdorur forcën ndaj të dëmtuarit Kened Delijaj, duke e goditur dy herë me shuplaka në fytyrë, e më pas duke iu drejtuar me fjalët “ka me të mbyt se më ke borgj”.

Sipas aktakuzës, Gjyliqi po ashtu dyshohet se me detyrim ka kërkuar para nga i dëmtuar Delijaj, në vlerë prej 5000 euro, me arsyetimin se ia kishte ngacmuar gruan e tij dhe se numrin e saj e ka bartur tek një person tjetër.

Në gjykimin e sotëm Gjyliqi, para gjyqtarit Mentor Bajraktari e pranoi fajin vetëm për akuzën e sulmit, ndërsa i mohoj veprimet e tija për akuzën e dytë.

“Nuk është e vërtetë që kam kërkuar para nga i dëmtuari”, theksoj i akuzuari Gjyliqi.

Ndërsa prokurori i rastit Bajram Kryeziu, tha se veprimet e të akuzuarit janë të ndërlidhura me njëra tjetrën.

Pas kësaj gjyqtari Mentor Bajraktari, caktoi seancën e radhës për muajin dhjetor, duke theksuar se për të dyja veprat penale duhet të procedohen dëshmitarë të njëjtë.