Lorik Lipoveci duke dëshmuar në gjykatën e Gjakovës. Foto: Kallxo.com

Gjakovë, dëshmitarët tregojnë si u shkrep plumbi te shkallët e shtëpisë

Lorik Lipoveci dhe gruaja e tij, Blerina, dolën sot para gjykatës në Gjakovë në cilësinë e dëshmitarëve, për ta treguar versionin e tyre se si u sulmuan pikërisht një vit më parë me armë zjarri nga i akuzuari, Mentor Gola, brenda shtëpisë së tyre.

“Dikush ka trokitur ne derë, kam hapur derën, ka kërkuar Lorikun dhe ka shajtë, e më pas sapo e ka parë Lorikun duke dalë prej derës së dhomës ka nxjerrë armën dhe ka gjuajtur në drejtim tonin”, deklaroi dëshmitarja Blerina Lipoveci.

“Ne s’kemi pasur asnjëherë konflikt me të akuzuarin Mentor (Gola), por mendoj se kjo ka qenë si pasojë e një kontesti të punës në ndërmarrjen publike “Qabrati”, të cilën e përfaqëson Loriku dhe mes gruas së Mentorit që ka qenë drejtoreshë e kësaj ndërmarrjeje”, tha ajo.

Ajo tha se plumbi ka goditur përmbi derës së hyrjes.

“Mentori ka qenë shumë afër meje, unë kam qenë te dera ndërsa ai te shkallët”, tha ajo.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Mentor Gola, avokati Ndrec Dodaj, kishte vërejtje në dëshminë e dëshmitares, me arsyetimin se është e paqartë.

Më pas në gjykatoren e Gjakovës, dëshmoi edhe i dëmtuari Lorik Lipoveci, i propozuar nga Prokuroria si dëshmitar.

Ai tregoi se paraprakisht kishte marrë një telefonatë nga një numër i panjohur.

“Atë natë, rreth orës 8, më ka thirrur në telefon një numër i panjohur ku është paraqitur si Mentor Gola. Unë nuk e kam njohur dhe më ka pyetur se ku jam, e unë i kam thënë që (jam) në shtëpi”, deklaroi i dëmtuari Lorik Lipoveci.

Blerina Lipoveci duke dëshmuar në gjykatën e Gjakovës. Foto: Kallxo.com

“Derën e ka hapur gruaja me fëmijët e mi, e pastaj kur kam dalë unë nga dhoma, i akuzuari Mentor (Gola) ka gjuajtur menjëherë me armë”, tha ai.

Lorik Lipoveci tha se ngjarja e ndodhur për shkak të detyrës së tij zyrtare që kishte.

“Mendoj që ky konflikt ka ndodhur pasi që unë kam përfaqësuar kompaninë publike ‘Qabrati’ në kontestin civil të punës mes ish-drejtoreshës ekzekutive Nora Gola dhe kompanisë”, deklaroi Lorik Lipoveci.

“Largësia mes të akuzuarit dhe gruas sime ka qenë përafërsisht një metër e gjysmë ose dy metra, do të thotë Mentori ka qenë në pushimoren mes derës dhe shkallëve, ndërsa unë kam qenë më larg tij do të thotë pas gruas sime”, tha ai.

Lorik Lipoveci tha se Mentor Gola kishte për qëllim të gjuante në drejtim të tij.

“Mentori ka gjuajtur në drejtimin tim dhe plumbi ka prekur mbi derë të hyrjes”, deklaroj Lipoveci.

Më pas, dëshminë e tij e dha edhe dëshmitari Diamant Muhaxhiri.

Ai tregoi se atë ditë kishte qenë në një qebaptore bashkë me të akuzuarin Mentor Gola.

“Aty kemi pirë raki, ujë dhe kafe e pastaj ai ka shkuar dhe është kthyer pas nja dy ore dhe ka pirë ujë, e pastaj duke shkuar në shtëpi na ka ndalur policia dhe na ka dërguar në stacionin policorë”, tha Muhaxhiri.

“Mentori asnjëherë nuk më ka folur për Lorikun”, tha dëshmitari.

Ndërsa dëshmitari tjetër, Orneld Tarani, fqinj i të dëmtuarve, tha se nuk ishte në dijeni nëse i akuzuari Mentor Gola kishte ndonjë konflikt me Lorik Lipovecin.

“Pas krismës, unë Mentorin e kam parë vetëm duke u larguar”, tha dëshmitari Orneld Tarani.

“Atë natë kam dëgjuar krismën dhe zhurmën e fëmijëve dhe pastaj kam dalë në ballkon dhe kam parë Mentorin duke u larguar prej oborrit të Lorikut”, deklaroi Tarani.

Pas këtyre dëshmive, prokurori i çështjes Ali Uka i propozoi gjykatës që të bëhet shiqimi i vendit të ngjarjes me arsyetimin që të qartësohen disa detaje se sa ka qenë larg i akuzuari me të dëmtuarit.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, duke e aprovuar propozimin e prokurorit për daljen në vend të ngjarjes caktoi 1 korrikun si datë për seancën e radhës.

Mentor Gola dyshohet se më 5 qershor 2018, nën ndikimin e alkoolit kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Lorik Lipoveci dhe në momentin kur kishin dalë jashtë gruaja me fëmijët e të dëmtuarit, ai kishte nisur të shante.

Aktakuza shpjegon se i pandehuri Mentor ka gjuajtur një herë me armë, duke e goditur derën e shtëpisë e pastaj kishte ikur.

https://kallxo.com/i-dyshuari-i-kerkon-falje-familjes-se-viktimes-nuk-i-kujtohen-veprimet-e-gjuajtjes-me-arme/

Dy seanca të kaluara të këtij rasti kishin dështuar të mbaheshin.

https://kallxo.com/seanca-ndaj-te-akuzuarit-per-tentim-vrasje-shtyhet-pasi-mungoi-avokati/

https://kallxo.com/gjakove-seanca-ndaj-te-akuzuarit-per-tentim-vrasje-deshtoi-serish/

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, mbrojtja e të akuzuarit e kishte kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë, duke thënë se aktakuza duhet të përmbajë veprën e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, e jo për tentim vrasje.

https://kallxo.com/mbrojtja-e-mentor-goles-i-akuzuar-per-tentim-vrasje-kundershton-aktakuzen/

Në seancën fillestare, i akuzuari Mentor Gola e kishte pranuar fajin për posedim të armës pa leje, por jo për akuzën e vrasjes në tentativë.

“Unë nuk kam shkuar me qëllimin që ta privoj nga jeta askënd”, kishte thënë ai.

https://kallxo.com/i-akuzuari-nuk-shkova-me-qellimin-per-ta-privuar-nga-jeta-askend/

Pas rastit të ndodhur me kërkesën e prokurorit, Gola kishte qëndruar një muaj në paraburgim, e pastaj kjo masë i është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Në këtë rast i dëmtuari Lorik Lipoveci është sekretar i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Qabrati”, i cili është edhe përfaqësues me autorizim i kësaj kompanie pranë çdo organi publik të sistemit të drejtësisë.